Për t’ia rënduar punët Manfred Weberit, i cili shihet nga njohësit e proceseve në BE si njeriu më i përshtatshëm dhe më i përgaditur për ta drejtuar Komisionin Evropian, u përkujdesën të ashtuquajtuarat katër vendet e Vishegradit (Polonia, Republika Çeke, Sllovakia dhe Hungaria) të cilat u deklaruan se nuk do të mbështesin Manfred Weber për postin e presidentit të Komisionit Europian.
Ky vendim i këtyre 4 vendeve të BE-së (që i takonin dikur ish bllokut komunist), u mor pas propozimit të kryeministrit hungarez, Viktor Orban, njëkohësisht edhe lideri i partisë në pushtet në Hungari, Fidesz, e pezulluar nga Partitë Popullore Europiane.
Në anën tjetër edhe francezja Lagarde e FMN-së thuhet të jetë ndër kandidaturat për kreun e Komisionit Europian me insistim të presidentit francez, që e do njeriun e vet në krye të këtij komisioni.
Drejtoresha e përgjithshme e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde pohoi sot se ndihej vërtetë e vlerësuar që bënte pjesë në mesin e emrave të komentuar për të marrë drejtimin e Komisionit të ardhshëm Europian, ose atë të Këshillit Europian, por për momentin ishte e fokusuar në mandatin e saj në krye të FMN-së.
“Unë jam shumë e nderuar që jam bërë pjesë e kësaj liste europiane, por kam një mision, më shumë se një mision unë kam një mandat. Unë po përmbush misionin tim dhe po kryej mandatin tim në drejtimin e FMN-së”, u shpreh ajo në prani të gazetarëve në Luksemburg.
Francezja 63-vjeçare përmendet si një shpëtim i mundshëm për kreun e ekzekutivit të ardhshëm europian ose Këshillit Europian.
Krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së do të mblidhen javën e ardhshme në Bruksel për të diskutuar rreth këtyre kandidaturave.
Pasuesi i Jean-Claude Juncker në krye të Komisionit Europian duhet të marrë detyrën më 1 nëntor. Ndërsa personi që do të pasojë Donald Tusk në Këshillin Europian do të marrë përgjegjësitë e reja më 1 dhjetor/AFP. /©Kabllogrami/