Vuçiqi në OKB me retorikë herë vajtuese, herë kërcënuese me shpifje e gënjeshtra plot

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vazhduar propagandën fashiste me retorikën tashmë të njohur që nga koha e Millisheviqit, duke akuzuar siç i referohet ai, Prishtinën, se me vendimet e fundit po rrezikon paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Ka lutur OKB-në që të marrë rol më të madh për të ndalur provokimet nga Kosova. Ka thënë se është i frikësuar, jo vetëm për serbët e Serbinë, por edhe për gjithë rajonin, raporton Kabllogrami

Këto komente ai i bëri në mbledhjen e jashtëzakonshme që e ka thirr Këshilli i Sigurimit të OKB-së, për të diskutuar për formimin e ushtrisë së Kosovës.

Sipas Vuçiq, “Serbia ka nënshkruar marrëveshje në Bruksel, dhe të gjitha obligimet nga ajo marrëveshje, ku kemi bërë shumë konsensione dhe e kemi pasur të vështirë para qytetarëve tanë, ne i kemi përmbushur”.

“Dhe Prishtina ka pasur vetëm një obligim nga ajo marrëveshje, krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe. Sot kemi 2070 ditë që nuk është bërë kjo e as që e kanë ndërmend ta bëjnë”, ka shpifur tutje Vuçiq.

Në vijim mund të lexoni pjesë nga fjalimi i Vuçiqit sot në OKB:

“Jam tejet mirënjohës ndaj jush për thirrjen e kësaj seance në një kohë kaq të shkurtër. Ne mendojmë se ka qenë e nevojshme dhe e domosdoshme që të ndodhë kjo, pas situatës së krijuar në Kosovë.

Jam shumë i brengosur dhe ndoshta pak i frikësuar, jo vetëm për popullin dhe vendin tim, por edhe për gjithë rajonin.

Serbia ka bërë përpjekje shumë të mëdha për të mbajtur paqen, qetësinë dhe stabilitetin në gjithë Ballkanin Perëndimor, duke qenë të kufizuar dhe të përmbajtur nga të gjitha reagimet që vijnë nga Prishtina.

Nuk e pranojmë më që t’u bëhet thirrje të dy palëve që të ruajnë qetësinë, sepse po shihet se kush po e rrezikon atë.

Ne i kemi kryer të gjitha obligimet tona. Ne i kemi bërë të gjitha, pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale, sistemin e drejtësisë, policisë.

Ne e konsiderojmë provokim anëtarësimin e Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë, si INTERPOL e UNESCO, apo organe të tjera, por kanë provuar ta bëjnë këtë. I kemi lutur të mos e bëjnë.

Kanë dështuar në INTERPOL, kanë marrë në rundin e parë më pak se 50 për qind të votave. Dështuan, e pas dështimit filluan ta fajësojnë Serbinë sikur ne e kemi obligim t’i përkrahim në anëtarësim. E pra nuk e kemi.

Dhe si kundërpërgjigje vunë tarifën për mallrat serbe. Fillimisht e bënë 10 për qind dhe kur e panë që pati efekt te popullata e vet, e ngritën në 100 për qind. Në kundërshtim me CEFTA-n dhe të gjitha parimet evropiane. Duke mbytur çdo marrëveshje tregtare mes Serbisë Qendrore dhe Kosovës. A mund ta imagjinoni dikë në shekullin 21 që vë taksë kundër lëvizjes së lirë të mallrave, se nuk u ka pëlqyer një vendim politik i anës tjetër.

Nuk u mjaftuan me këtë. Formuan Ushtrinë. Në cilin dokument shkruan se duhet të formohet Ushtria e Kosovës. Nuk e njeh madje as Kushtetuta e vet, të cilën ne nuk e njohim. Sigurisht se nuk kanë mundur t’i gjejnë 7 serbë që do ta votojnë këtë, dhe kujt i plas për ligjin.

Befasisht marrin përkrahje të madhe ndërkombëtare, sepse është interes i tyre politik.

Edhe diçka, Kosova dhe Metohija është zyrtarisht me territorin më të ultë të kthimit në botë. Vetëm 1.5 për qind e atyre që janë larguar nga pragjet e tyre.

Dhe kjo nuk ju mjafton, formojnë ushtrinë dhe kërcënojnë.

Ta marrim shembull vetëm, Bogdan Mitroviqin që ka dashur të kthehet në Mushtisht të Suharekës, është arrestuar është keqtrajtuar dhe është rrahur në prani të vajzave të tij, është mbajtur një muaj dhe ky është vetëm një shembull se çfarë guxojnë t’u bëjnë atyre që vetëm guxojnë të shkojnë për të vizituar pronat e tyre, e jo për t’u kthyer.

Qysh se kemi filluar dialogun tonë, në vitin 2012, dhe më pas e riflliuam më 2013 ata fituan 19 njohje dhe nuk kemi kërcënuar askënd, e kur filloi procesi i tërheqjes së njohjeve filluan të na fajësojnë neve më pas.

Do të bëjmë përpjekje që ta ruajmë qetësinë, sepse kemi vuajtur shumë dhe nuk kemi më djem e vajza të japim. Por e lutim dikë që t’i ndalin që mos të provokojnë më.

Këta po provojnë që të bëjnë një ekip për dialog, duke futur aty edhe persona të ish-UÇK-së që akuzohen për krime lufte. Kanë bërë edhe një dokument, ku kanë shkruar se ne duhet të njohim pavarësinë e Kosovës, duhet ta pranojmë që kufijtë e Kosovës janë ata që ata i mendojnë se janë, që nuk do të ndryshojnë formën unitare, e se serbët nuk do të marrin asgjë. Më thoni, për çka duhet të bëhet dialogu, se ku do të luajnë fëmijët në oborr, apo për çka.

Do të donim që të ftojmë OKB-në që të marrë rol më të madh në të ardhmen, s’kemi asgjë kundër BE-së, por duam që OKB të marrë më shumë rol, që ta ndal provokimin nga Prishtina.

Dua të them në serbisht disa fjalë që u drejtohen serbëve në Kosovë. Nga këtu dua që t’ju falënderoj për gjithçka që keni përjetuar dhe po përjetoni dhe Serbia do të jetë me ju”.Kabllogrami/

 

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë