Shkrimtari i njohur Ismail Kadare sot feston 83-vjetorin e lindjes së tij, dhe në urimet që i vijnë gjithandej nga rrah zemër shqiptari ‘pa shibla’, ai është vlerësuar si gjigant i kombit; personalitet unikal, kolos e i papërsëritshëm, transmeton Kabllogrami që i bashkohet me konsideratë të thellë këtyre urimeve për këtë shtyllë të palëkundur të kombit shqiptar.
Një urim i veçantë vjen nga i pari i shtetit shqiptar, presidenti i Republikës, Ilir Meta që e ka uruar shkrimtarin, duke e cilësuar krenaria e letrave dhe e mendimit shqiptar.
“Kombi shqiptar është me fat që ka një kolos të tillë krijues të përmasave botërore, një personalitet unikal e të papërsëritshëm dhe sinonim të letërsisë shqipe, që e bëri atë të vyer, të vlerësuar dhe të lexuar në 45 gjuhë të ndryshme.
Shumë urime, shëndet, jetë të gjatë dhe sa më shumë suksese në krijimtarinë e Tij të ndritur!”, shprehet Meta përmes një postimi në Facebook.
Po ashtu edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj e ka uruar shkrimtarin.
“Përmes veprës kulmore letrare, Ismail Kadare e universalizoi historinë shqiptare. Falë fuqisë së fjalës, shkrimtari ynë e bëri të njohur thelbin e të vërtetës dhe të drejtës së Kosovës. Ne shqiptarët jemi popull me fat që e kemi shkrimtarin e përmasave botërore, vlerë tonën identitare. Urime ditëlindja, të paçim dhe gjatë Ismail Kadare!”, është shprehur Haradinaj. /©Kabllogrami/