URIME DITËN MËSUES!

Nga Avni Azizi

Nga Avni Azizi

Mësuesi flet dhe komunikon me kohën. Ai është një hallkë në zinxhirin e brezave. Duke lidhur të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, ai reflekton punën dhe edukatën krijuese. Të jesh mësues është një talent. Mësuesit nuk bëhen ata lindin. Mësuesit janë investimi në të ardhmen…

Festa e mësuesit, më shumë se një urim, është një festë për ata që kanë ndikuar dhe kanë bërë kuptimin e jetës, synimin fisnik të ndriçimit dhe edukimit të brezave. Kjo është një festë e secilit prej nesh.

Një njeri mirënjohës përherë ka ndjenjat, respektin dhe mirënjohjen për mësuesit e tij. Nuk ka asgjë më fisnike se dhënia e njohurive njerëzore, përgatitja për jetë dhe shoqëri.
Në botën moderne, arsimi cilësor është një kusht kyç për zhvillimet efektive të shoqërisë. Kjo është baza e qytetërimit.

Shoqëria i detyrohet njerëzve të cilët me dijen dhe shpërndarjen e saj përmes punës kanë arritur ta transmetojnë tek nxënësit, studentët dhe të tjerët. Puna e mësuesit është e ndershme e respektuar dhe çmuar në çdo kohë. Edukimi i qytetarëve të atdheut, pajisja me njohuri e brezit të ri, hapin horizonte e shtigje të reja për prosperim drejt një të ardhme më të ndritur. Mësuesi përherë duhet të ketë cilësitë më të larta morale dhe të përditësojë njohuritë duke qenë në hap me zhvillimet e kohës. Puna dhe shërbimi janë të shenjta, rezultatet janë të mëdha dhe të rëndësishme.

Shteti e shoqëria duhet të investojnë prore në institucionet arsimore dhe ngritjen cilësore të nivelit të mësimdhënies, duke e bërë popullin të ndihet krenar për potencialet edukuese. Kështu edhe popullit i rritet krenaria, vetëbesimi dhe dinjiteti duke u ndier të sigurtë për fëmijët e tyre –njëherit, të sigurtë për të ardhmen e vendit.

Vendit i duhen mësimdhënës që u japin nxënëseve jo vetëm njohuri por, u mësojnë atyre edhe mençurinë njerëzore, kombëtare dhe përvojat jetësore duke i kaluar në ato praktike. Këto veti të çmueshme për çdo shoqëri duhet nderuar me respekt, duhet çmuar meritat në avancimin e cilësisë, kontributin e rëndësishëm të zhvillimit si dhe ruajtjen e idealeve shpirtërore e morale.

Një shoqëri e cila gëzon respektin për mësuesin, ajo ka të ardhme të sigurt. Respekti për mësuesin nënkupton që mësuesi vërtet ta meritojë një epitet të tillë me dije të thella profesionale, pedagogjike dhe mbi të gjitha që vlerat morale e humane të dijë t’ua transmetojë brezave të vijnë, në mënyrë që ardhmëria e një vendi dhe shoqërie të jetë e ndërtuar në shtyla të forta e të shëndosha.

Mirënjohja për shërbimin vetëmohues, idealet e ndriçimit të dijes, fisnikëria dhe profesionalizmi duhet të jenë motoja e mirëkuptimit dhe dashurisë për edukimin e brezit të ri. Pa mëdyshje se, përvoja, përkushtimi do sjellin rezultate të larta në gjitha aktivitetet profesionale e publike.

Në këtë ditë të shënuar, të gjithë ne duhet të shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë për gjithë mësuesit e zellshëm, durimin dhe dëshirat e tyre për bartjen e njohurive tek brezi i ri.

Duhet që mësimdhënësve të ju krijojmë kushte për zhvillimin intelektual, shpirtëror. Të investojmë në punën e tyre bujare që entuziazmi i tyre të jep rezultate të mrekullueshme. Si kurrë më parë shoqërisë sonë i nevojitet njeriu i shkolluar, i arsimuar, konsekuent, dinjitar dhe ky është çelësi i përparimit të suksesshëm. Ata që japin nga vetja për të përqafuar këto ideale janë pishtarët e dritës që ngrohin dhe ndriçojnë rrugët tona.

Urime mësues, profesorë, veteranë… prosperitet dhe suksese në punët tuaja të shenjta!… /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë