Nga ambasada amerikane në Kosovë ka ardhur një mesazh urimi për 11 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kjo përmes ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip S. Kosnett, i cili ka uruar 11 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, përcjell Kabllogrami.
“Kam nderin dhe privilegjin që shërbej si ambasador i SHBA-së gjatë kësaj kohe emocionuese. Jam kthyer në Kosovë pas 15 viteve dhe e shoh që populli i Kosovës ka arritur përparim të jashtëzakonshëm në rindërtimin e vendit dhe është përgatitur për sukses në skenën botërore. Gjithmonë mahnitem nga të rinjtë e Kosovës: të rinj të zgjuar, energjikë, kreativë, që kërkojnë mundësi për ta ndërtuar të ardhmen e tyre këtu në Kosovë”, ka thënë Kosnett.
Kosnett, tutje ka thënë se të dy vendet kanë përfituar nga partneriteti i ngushtë ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës dhe, siç thotë Kosnetti, “nuk kam asnjë dyshim që partneriteti ynë do të vazhdojë në të ardhmen e largët”.
“ Por, mos u gaboni. Kosova tani është në dhjetëvjeçarin e dytë të pavarësisë dhe demokracisë. Iu takon kosovarëve që të marrin përgjegjësi dhe t’iu kërkojnë llogari udhëheqësve për të marrë hapat e nevojshëm për përparim”, ka thënë ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.
“Arritja e paqes do të kërkojë marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, që në thelb e ka njohjen e ndërsjellë. Arritja e drejtësisë nënkupton veprime konkrete për të ndërtuar sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit në të gjitha nivelet”, ka thënë ndër të tjera ambasadori amerikan.
“Jam i bindur se populli i Kosovës është i aftë të përballet me sfidat që i ka përpara. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë përkrah jush. Urime Dita e Pavarësisë, Kosovë!”, ka përfunduar urimin me mesazhe Kosnetti. /©Kabllogrami/