Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Uashington ka zhvilluar një takim me John Boltonin, Këshilltarin për Siguri Kombëtare të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, raporton Kabllogrami
Në këtë takim është biseduar për marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, për perspektiven euroatlantike dhe për domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si parakusht për paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon.
Presidenti Thaçi e ka falënderuar këshilltarin John Bolton për mbështetjen që presidenti Trump po i jep Kosovës në të gjitha fushat.
Nga ana tjetër, Këshilltari për Siguri Kombëtare i presidentit Trump e ka siguruar Presidentin e Kosovës se Shtëpia e Bardhë dhe administrata Trump e mbështetë fuqishëm arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në një postim në Facebook, Thaçi ka shkruar se “edhe sot në Shtëpinë e Bardhë mora mbështetjen e plotë nga administrata e presidentit Trump, për të shfrytëzuar këtë mundësi të papërsëritshme dhe për të arritur një marrëveshje që siguron njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO, BE dhe OKB”.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin Kosovën në rrugëtimin e pandalshëm euroatlantik dhe janë të përkushtuara për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Edhe sot në Shtëpinë e Bardhë mora mbështetjen e plotë nga administrata e presidentit Trump, për të shfrytëzuar këtë mundësi të papërsëritshme dhe për të arritur një marrëveshje që siguron njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO, BE dhe OKB. Përkrahja SHBA-së, Kosovës i ka sjellë gjithmonë suksese. Prandaj duhet ta çmojmë këtë mbështetje edhe në këtë fazë përfundimtare të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Thaçi nё faqen e tij zyrtare nё Facebook. /©kabllogrami/