Thaçi edhe sot hiper-aktiv në rrjetet sociale
Presidenti në detyrë i Kosovës, Hashim Thaçi, i njohur për stilin e tij të “kunjave” ndaj rivalëve politikë dhe gjithë atyre që mendojnë ndryshe nga ai, ka ironizuar me kryeministrin Haradinaj i cili ditë më parë kur u pyet për heqjen e taksës ndaj Serbisë, deklaroi me metaforë se ‘shumë borë duhet të shkrihet njëherë’, derisa Thaçi sot i ka reaguar Haradinajt përmes rrejtit social Facebook me ironi e cinizëm duke i thënë: “Bora ka zënë të shkrihet shpejt… Uroj të mos bëhet skllotë! HTH”.
Thaçit i ka replikuar këshilltari i Haradinajt, Halil Matoshi duke rikthyer në kujtesë një poezi të bukur të Ndre Mjedës nga koha e ‘Rilindjes’ po për ‘shkrirjen e borës’.
“Po shkrihet bora/Dimni po shkon/Bylbyl i vorfen/Pse po gjemon?/Pushoi murrlani/Me duhie t’vet’/Bylbyl i vorfen/Çou, mos rri shkret’(Ndre Mjeda).”, ka shkruar Matoshi në Facebook.
Thaçi s’e ka lënë me kaq, shpejt i është përgjigjur edhe Matoshit, po përmes rrejtit social Facebook, tani me një deklaratë më eksplicite, duke aluduar se një marrëveshje me Serbinë është afër, por sot pa treguar gjë për lëvizjen e mundshme të kufijve, të cilën po e avokon tash e një kohë si ide të tijën, këtë ide të kahmotshme serbo-ruse.
Përmes një statusi të ri, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka paralajmëruar se në ditët dhe javët e ardhshme institucionet do të ndërmarrin vendime të rëndësishme në interes shtetëror. Ai ka thënë se dialogu dhe marrëveshja eventuale paqësore vetëm sa e përshpejtojnë realizimin e synimeve për anëtarësim në BE, NATO dhe OKB.
“Në ditët dhe javët në vazhdim, institucionet e Republikës së Kosovës do të ndërmarrin veprime dhe vendime në interes shtetëror dhe të forcimit të partneritetit me aleatët tanë ndërkombëtarë. Të gjitha institucionet shtetërore janë në shërbim të mbrojtjes, avancimit dhe arritjes së qëllimeve tona strategjike shtetërore. Dialogu dhe marrëveshja eventuale paqësore vetëm sa e përshpejtojnë realizimin e synimeve tona për anëtarësim në BE, NATO dhe OKB. Këto synime janë të arritshme, për aq kohë sa jemi të bashkuar, pozitë, opozitë dhe shoqëri civile, flasim fuqishëm njëzëri dhe kemi mbështetjen e aleatëve tanë ndërkombëtarë, respektivisht mbështetjen e SHBA-së”, ka shkruar në Facebook, Hashim Thaçi. /©Kabllogrami/