Taksa e Kosovës gjunjëzon ekonominë e Serbisë – rënie drastike e importit
Kur po bëhen një muaj që nga vendimi i qeverisë për vendosjen e taksës 100% ndaj produkteve serbe dhe boshnjake, numri i mallrave nga këto dy shtete që kanë hyrë në Kosovë është shumë fish më i vogël se vitin e kaluar.
Përkundër taksës së madhe, Kosova po vazhdon të importojë nga shteti serb sidomos lëndë të parë.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci ka bërë të ditur për Gazetën Insajderi se deri më tani nga Serbia janë zhdoganuar 145 kamionë, kurse në Bosnja 29 tjerë.
Por që këta kamionë të hyjnë në Kosovë kanë paguar shuma të mëdha parash, për taksën e vendosur.
Për kamionët e hyrë nga Serbia janë paguar rreth 250 mijë euro taksë, kurse nga Bosnja afro 42 mijë.
Stavileci ka bërë të ditur se këto mallra janë kryesisht lëndë e parë, që Kosova po e importon nga shteti serb.
Vlera e këtyre mallrave ka qenë rreth 290 mijë euro. Kurse 40 milionë euro mallra vetëm një muaj më herët kishin hyrë nga Serbia dhe Bosnja.
Ndryshe Qeveria e Kosovës, deri më tani, nuk është zmbrapsur nga vendimi për tarifën 100%, e cila vazhdon të mbetet në fuqi, deri sa siç thotë kryeministri, Serbia ta njohë Kosovën si shtet, pavarësisht faktit se ky vendim ka nxitur reagime nga disa serbë në Kosovë të mbledhur rreth ‘Listës Serbe’ që dirigjohen direkt nga Beogradi, si dhe nga autoritet serbe në Beograd./©Kabllogrami/