Në ndeshjen e mbrëmshme që filloi në ora 21:00 në stadiumin “Parc Olympique Lyonnais” të Lionit në Francë për një vend në finalen e Kupës së Botës së vajzave, Holanda doli të jetë skudër më me fat duke siguruar finalen, ndonëse Suedia dominoi ndeshjen, raporton Kabllogrami.
Ndeshja u dominua nga Suedezet, ndonëse edhe Holandezet kishin rastet e tyre. Holanda luajti një lojë të matur në mbrojtje, derisa mbroheshin nga furia e sulmueseve suedeze me Kosovare Asllanin të disponuar për lojë.
Holanda kryesisht sulmonte përmes kundërsulmeve, porse koha e rregullt e ndeshjes përfundoi në barazim pa gola, ndonëse rastet për shënim nuk munguan sidomos nga suedezet që dominonin lojën.
Futbollistet e Holandës që janë kampionet në fuqi të Evropës, pasi e kishin mposhtur Danimarkën në finalen e vitit 2017, arritën të shënonin vetëm në vazhdimin e parë të ndeshjes, konkretisht në minutën e 99. Ishte sulmuesja Jackie Groenen ajo që shënoi dhe i solli Holandës gëzimin e madh duke e kualifikuar në finale të botërorit.
Lexo edhe këtë artikull të ngjashëm: Sot luhet gjysmëfinalja e Kupës së Botës në futboll te femrat, Holandë – Suedi: Kosovare Asllani synon finalen
Në anën tjetër, Suedia ishte dominuese në ndeshje, krijoi raste të shumta shënimi por pa mundur të shënonin. Dhe rregulli i pashkruar i futbollit “kur nuk shënon – pëson”, i ndodhi edhe Suedisë, e cila nuk ka fituar trofe që nga EURO ’84, por skuadra e trenerit suedez Peter Gerhardssonit shkëlqeu në këtë botëror, ku me performancë bindëse e tronditi edhe Gjermaninë në fazën çerekfinale të këtij turneu.
Futbollistja me prejardhje nga Kosova, Kosovare Asllani, që përfaqëson kombëtaren e Suedisë, ndonëse luajti bukur dhe ishte shumë aktive, pësoi një lëndim gjatë vazhdimit të dytë të ndeshjes që për pasojë është dashur të bartet nga fusha e gjelbër me ndihmën e mjekëve.
Holanda do të përballet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në finale, pasi që SHBA-ja e mposhti Anglinë në gjysmëfinalen tjetër, që u zhvillua të martën. /©Kabllogrami/