Sot në fshatin e Hasan Prishtinës u shënua dita e dëshmorëve.
Qytetarëve me një fjalë rasti iu drejtua presidenti i vendit, Hashim Thaçi.
Ai foli për krenarinë dhe për zhvillimin e vazhdueshëm të Polacit duke theksuar se “për Polacin do të ketë vetëm përparim, vetëm zhvillim dhe ecje përpara”.
Fjalët e Presidentit i shoqëronte “përparimi” me kundërmim të rëndë të ujërave të kanalizimit që rridhnin hapur pak më poshtë, afër puseve të pijes, duke përhapur jo vetëm kundërmimin, por edhe rrezikun e përhapjes së epidemive, dukuri e cila fatkeqësisht përgënjeshtronte “premtimet” tashmë të njohura të presidentit.
Familjet e dëshmorëve nuk munden më të gëlltitin krenarinë, nuk munden më të gëlltitin premtimet që mbesin vetëm premtime kurtoazie, që jepen në raste të tilla sa për të folur diҫka dhe për t’i hedhur hi syve popullit. Ata duan ujë të pijshëm, kanalizim dhe përparim real dhe jo premtime boshe.
Vlen të theksohet se nga Thaҫi dhe partia që udhëhiqej prej tij, shumë vite më parë gjatë fushatave zgjedhore, është premtuar dhe më vonë është inauguruar “përfundimi” i punimeve për kanalizimin e fshatit Polac, por sot ujësjellësi dhe kanalizimi janë jofunksionalë dhe kanë mbetur relikte të fushatave zgjedhore.
Siҫ duket banorët e këtij fshati dhe fshatrave përreth janë ngopur me fjalë të mëdha pasi që vitet e deceniet e shkuara, tashmë dëshmuan se ishin vetëm retorikë pa kurrëfarë mbulese dhe me të drejtë ndjehen të mashtruar dhe manipuluar. /©Kabllogrami/