Sot dhe nesër priten reshje shiu dhe mot më i freskët
Në Kosovë ditën e hënë dhe të martë pritet të ketë reshje shiu dhe shkarkime rrufesh, që nënkupton edhe mot më të freskët, për shkak të masave ajrore me presion të ndryshueshëm atmosferik.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës /IHMK/ ka njoftuar se gjatë kësaj jave moti do të ndikohet nga masat e ajrit me presion të ndryshueshëm atmosferik. Kjo situatë meteorologjike do të krijojë kushte për reshje shiu dhe shkarkime rrufesh.
Instituti thotë se kjo situatë e paqëndrueshme meteorologjike do të vijoj ditën e hënë dhe të martë, më tej pritet stabilizim i motit dhe masa të nxehta të ajrit që vijnë nga verilindja.
“Temperaturat minimale parashihen të lëvizin ndërmjet 15-17 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 26-28 gradë Celsius. Indeksi UV mbetet mbi vlerat e normales, sidomos në rrafshin e Kosovës dhe kjo situatë do të ndikoj në kushtet biometeorologjike, për personat që kanë probleme me shëndet: tension, sheqer, rrugë të frymëmarrjes, probleme me zemër etj”, thuhet në njoftimin e IHMK-së. /©Kabllogrami/