Sot bëhen 20 vjet nga fillimi i tërheqjes së forcave kriminale ushtarake e paramilitare serbe nga Kosova, që shënon edhe fundin e pushtimit gjenodial të okupatorit serb.
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare nga tokë dhe bombardimet e NATO-së nga ajri e detyruan pushtuesin serb të nënshkruaj marrëveshjen më 9 qershor 1999 në Kumanovë.
Atë e nënshkruan Michael Jackson, komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë, dhe ish-shefi i Shtabit të Armatës së Serbisë, gjenerali Nebojsha Pavkoviq, i akuzuari i Hagës për krime lufte dhe gjenocid në Kosovë.
Ndër të tjera në marrëveshje parashihej:
- c) që nga Kosova të largohen të gjithë personat dhe organizatat me aftësi militare duke përfshirë armatën e rregullt dhe forcat e marinës, civilë të armatosur, paramilitarë, forcat ajrore, garda kombëtare, policia kufitare, rezervistët, policia ushtarake, shërbimet informative, MUP-i, policia lokale, speciale, antirebeliste, antiterroriste dhe çdo grup i përcaktuar kështu nga KFOR-i.
- d) u caktua një zonë sigurie ajrore 25 kilometra përtej kufirit të Kosovës, e ndërsa në pikën
- e) të caktohet një zonë 5 kilometra përtej kufirit me RFJ-në brenda të cilës nuk guxon të vendosen armatimet e rënda dhe ushtria, përveç ushtarët kufitarë.
Sulmet, që vazhduan për 78 ditë, u anuluan më 10 qershor, pasi komandanti suprem i NATO-së, gjenerali Wesley Clark i raportoi Këshillit të Atlantikut Verior se sulmet ajrore kishin detyruar pushtuesin serb të fillonte tërheqjen e plotë të forcave nga Kosova.
Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë nisi edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, UNMIK-u, i cili do të administronte vendin deri në shpalljen e Pavarësisë, më 17 shkurt 2008. /KsP. /©Kabllogrami/