Përkundër kundërshtimeve joparimore të Vuçiqit dhe përzierjes së tij në punët e brendshme të shtetit të Kosovës, Partia e Pavarur Liberale Serbe (SLS) i ka dhënë mbështetje të plotë Dijana Zhiviqit si ministre e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në detyrën e saj të re, pas shkarkimit të Nenad Rikallos nga Lista Serbe, i cili kishte bojkotuar këtë post.
Në një konferencë për media, kreu i kësaj partie Sllobodan Petroviq ka bërë të ditur se emërimi i Zhiviqit në këtë detyrë është bërë me propozim të tij, duke thënë se me këtë emërim është rregulluar një padrejtësi ndaj kësaj partie që të udhëheqë me të paktën një ministri.
Ai ka folur edhe rreth reagimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili me rastin e emërimit të Zhiviqit kishte thënë se kryeministri Ramush Haradinaj ka emëruar “serbë privatë” në ministritë e tij.
“Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq e di se SLS-ja është parti parlamentare dhe SLS-ja është parti parlamentare që 12 vjet në kontinuitet dhe SLS-ja është partia më e vjetër në Kosovë, e cila mbledh serbët e Kosovës dhe si e tillë, në vitin e 13 që jemi politikisht aktivë në Kosovë, është normale të jemi pjesë e qeverisë sikurse viteve të kaluar dhe nuk ka arsye të zemërohet dikush. Është interesante nga këto që kemi dëgjuar se ministri i Mbrojtjes Vulin, i cili thotë se Zhiviqi është organizatore dhe pjesëmarrëse e protestës ‘Një prej pesë milionë’ në Graçanicë. Çfarë të themi? Qëndroj këtu para jush dhe them me sinqeritet se nëse Zhiviqi është organizatore ose pjesëmarrëse, unë dhe Zhiviqi do të japim dorëheqje dhe do të mbyllim partinë”, ka thënë Petroviqi, raporton Kosovapress.
Ai ka akuzuar Listën Serbe për përhapje të gënjeshtrave të ndryshme ndaj ministres Zhiviq, duke thënë se një gjë e tillë është e turpshme, ndërsa është zotuar se MBPZHR do të jetë ministri e të gjithëve dhe se do të punohet në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme.
Petroviqi ka hedhur poshtë pohimet se ministrja Zhiviq nuk është eksperte në resursin që ajo drejton, duke thënë se ka pasur rezultate të shumta pozitive në këtë fushë.
“Nëse më pyetni për ekspertizë, Dijana Zhiviq është 50 herë më eksperte dhe kualitative se sa ndonjë kuadër apo ministër që ka propozuar Lista Serbe”, tha ai.
Ai ka folur edhe rreth idesë për ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, duke shprehur qëndrimin e mëhershëm të partisë që ai drejton se është kundër çdo ndarjeje, ndërsa shtoi se nuk e di se çfarë do të thotë “delimitimi”. /©Kabllogrami/