Në kujtim të poetit Fatos Arapi
Prej vitesh nuk dilte nga shtëpia e tij. Ishte i sëmurë rëndë. “Refuzonte ta kapërcejë pragun e portës”. Gazetat, radiot, televizionet nuk kujtoheshin më as për ditëlindjen e tij. Në këtë gjendje, në të gjallë të tij, në një bashkëbisedim me poetin Izet Duraku, ky i fundit kishte pëmbledhur ironinë: “…politikanët deri tani kanë respektuar shkrimtarët vetëm ditën e vdekjes së tyre për me marrë të mbramen pikël drite prej tyre”. Mesazhi që jep Duraku është njerëzor. Ndoshta poeti Fatos Arapi po bënte grevën më të gjatë në historinë shqiptare të letrave duke protestuar me heshtjen e vet kundër antivlerave, jovlerave, pseudovlerave letrare dhe të krejt jetës sonë të rrejshme.
“Si s’të desha pak më shumë” poezi nga Fatos Arapi
Unë e desha përtej vdekjes,
Ashtu dashurova unë
Edhe prapë s’ia fal dot vetes:
S’i s’e desha pak më shumë…
Pak më shumë ku shpirti thyhet,
T’i them ndarjes: – Prit, ca pak…
Të gënjejmë mallin që s’shuhet,
Kujtimin të gënjejmë pak.
Përtej vdekjes, përtej botëve,
Atje ku nis “ca pak” tjetër, –
Asaj që më rri mes zotave:
“Si s’të desha pak më tepër…”.
Pas marrjes së lajmit për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Fatos Arapi, kanë reaguar me ngushëllime disa nga figurat publike shqiptare nga tokat Ilire. Tash, në të vdekur, nuk munguan mesazhet plot dhimbje për këtë humbje të madhe për letërsinë shqipe.
Një mesazh plot dhimbje e krenari e ka përcjellë edhe kolegu i tij më i ri në moshë, shkrimtari i shquar shqiptar, Ismail Kadare.
“Pas ikjes së Dritero Agollit, letërsia shqipe i ka gjithmonë e më të vështira humbjet e tjera, të dhimbshme si kjo e Fatos Arapit. Shkrimtar i rëndësishëm, me një jetë dhe krijimtari dramatike…” ka thënë ndër të tjera Kadare në letër-ngushëllimin e tij.
Fatos Arapi, bashkë me Ismail Kadarenë dhe Dritëro Agollin, përbënin atë trinomin që sollën një kthesë të rëndësishme në poezinë shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit njëzet. /m.b./©kabllogrami.com/