Si e bëri ‘vettingun’ Adolf Hitleri

Nga Aurel Plasari

DY VJET E GJYSMË MË PARË, POR: PËR ATA QË DININ TË LEXONIN
5 shkurt 2017

Politologu gjerman Ernst Frankel (1898-1975) na tregon që nuk ndodh vetëm ashtu siç mund ta dinim deri dje: një diktaturë mund të instalohet edhe në kohë paqeje, edhe në rrethana kushtetuese të një pushteti të arritur me vota, i cili fillon të cenojë e të cungojë liritë kushtetuese. Atëherë shtetasit ndodhen përballë një situate të deformuar: kur shteti i tyre nuk është më në funksion të tyre, por në funksion vetëm e vetëm të një pushteti, cilido qoftë ai. Ndër teknikat e larmishme të grushtit të shtetit është fjala për një grusht shteti mjaft origjinal: që nuk jepet nga jashtë pushtetit, për ta rrëzuar atë, por nga vetë pushteti për t’iu imponuar shtetasve në mënyrë jokushtetuese.

5 shkurt 2017

* * *

Vini re sesi ende sot, më 2019, asnjëra nga të dyja palët politike nuk do që nuk do ta pranojë që shpartallimin e Republikës e ka shkaktuar pikërisht e ashtuquajtura “reformë në drejtësi” e projektuar dhe konceptuar nga një fondacion privat, ajo “reformë në drejtësi” që e përdhunoi Kushtetutën e Republikës me ndërhyrjet në të; ajo “reformë në drejtësi” që e la Republikën pa Gjykatë Kushtetuese çfarë do të thotë pa garancitë e të drejtave dhe lirive për qytetarët e Republikës në fjalë; ajo “reformë në drejtësi” që akaparoi politikisht institucionin e Prokurorisë duke ia dorëzuar prokurën e qytetarëve të Republikës një funksionareje të improvizuar në mënyrë të paligjshme; ajo “reformë në drejtësi” që mundësoi konfliktin e hapur destabilizues mes dy institucionesh kryesore të një Republike siç janë Parlamenti i saj dhe Presidenca e saj; ajo “reformë në drejtësi” që tanimë duket ta çojë shoqërinë shqiptare në përplasje civile … Kështu me radhë.

Lexoni, për shembull, sesi e nxjerr veten dorëjashtë sot ambasadori i Austrisë në Shqipëri z. Johann Sattler kur na thotë ne, qytetarëve të Republikës së shpartalluar: “Nuk jemi në 1912 dhe jemi në 2019 dhe përgjegjësia është totalisht e juaja”. Pa shihni! Ndërkaq nuk ka pikën e turpit kur vijon t’ia shkulë partallet Republikës së Shqipërisë me avazin: “Reforma në drejtësi është shumë e rëndësishme”. Më trim rezulton ambasadori i Bashkimit Europian i akredituar në Republikën e shpartalluar të Shqipërisë, z. Luigi Soreca, i cili deklaroi vetëm pakëz kohë më parë: “Kemi të bëjmë me një Reformë të pashembullt të reformimit të gjyqësorit në Shqipëri, që nuk është parë në Europë e në botë”. Dhe thoni, po të doni, që Shkëlqesia e Tij nuk e njeh retorikën mussoliniane prej komediani.

Si e bëri ‘vettingun’ Adolf Hitleri

Nga Aurel Plasari

Kur bie shi dhe kur kam ngé shkruaj në FaceBook nga një rekomandim leximi, që të tjerëve u duket esé. “Ernst Fraenkel, Shteti i dyfishtë – Një kontribut në teorinë e diktaturës”, New York 2010 (Oxford University Press): është një vepër e hershme, e botuar për së pari më 1941 jashtë Gjermanisë, pikërisht kur regjimi nazist i Rajhut të Tretë ndodhej në pikun e vet.

Mirëpo ajo ribotohet dendur dhe në shumë gjuhë, sepse vlerësohet ndër referencat më të domosdoshme, si vepër që zbuloi dhe e shpalli sheshit se qysh lind e instalohet një diktaturë. Veçan për ne shqiptarët, që prej përjetimeve tona mund të pandehim – gabimisht – se një diktaturë vjen e vendoset vetëm në rrethanat specifike mbas një pushtimi a një lufte, si rrjedhojë e “fitores” së një force politike e cila imponohet si regjim diktatorial, çfarë edhe ndodhi në Shqipëri, etj.

Politologu gjerman Ernst Frankel (1898-1975) na tregon që nuk ndodh vetëm ashtu siç mund ta dinim deri dje: një diktaturë mund të instalohet edhe në kohë paqeje, edhe në rrethana kushtetuese të një pushteti të arritur me vota, i cili fillon të cenojë e të cungojë liritë kushtetuese.

Atëherë shtetasit ndodhen përballë një situate të deformuar: kur shteti i tyre nuk është më në funksion të tyre, por në funksion vetëm e vetëm të një pushteti, cilido qoftë ai. Ndër teknikat e larmishme të grushtit të shtetit është fjala për një grusht shteti mjaft origjinal: që nuk jepet nga jashtë pushtetit, për ta rrëzuar atë, por nga vetë pushteti për t’iu imponuar shtetasve në mënyrë jokushtetuese.

Ta lexosh sot “Shtetin e dyfishtë” të Fraenkel-it i bie të jesh lexues me fat posa që ngjarjet në ndodhje e sipër në “Turqinë mike” dhe në Rumaninë “romantike” të japin dorë si një ilustrim me ngjyra i një deformimi të ngjashëm me atë që përshkruhet te “Shteti i dyfishtë”.
Madje shejnitë e kufizimit të lirive kushtetuese dallohen sot aty-këtu edhe në vende të cilësuara si demokratike të Bashkimit Europian me shkasin e mbrojtjes së shtetasve nga “rreziqe potenciale”, si për shembull terrorizmi. Sepse gjithnjë duhet gjetur një shkas. Si e thoshte Don Kishoti i Nolit? “Do të të çkallmonj, veç sa të gjenj një sebep…”.

Fraenkel-i ballafaqon në veprën e tij dy entitete shtetërore: një Shtet normativ (Normenstaat), i mbështetur në kushtetutën e vendit dhe legjislacionin përkatës, dhe një shtet paralel që e ka quajtur “Maßnahmenstaat”, i cili mbetet në politologji koncept i tiji origjinal. Duke qenë term i ri dhe jo i lehtë për t’u përkthyer, anglishtja e ka dhënë me “Prerogative State”, frëngjishtja me “État discrétionnaire”, italishtja me “Stato discrezionale”.

Shqip mund të thuhej “Shtet i masave të veçanta”, “Shtet i masave të jashtëzakonshme” ose thjesht “Shtet i masëmarrjes”. Janë partitë në pushtet ato që synojnë ta prodhojnë një shtet të tillë paralel brenda shtetit kushtetues. Dhe shtetasit, kur u ndodh tjetërsimi ndaj shtetit, që do të thotë kur shteti u duket si diçka e dhënë “nga lart”, që nuk e kanë krijuar ata vetë për t’u shërbyer po atyre vetë, u shpëton fakti që shteti si krijim historik nuk ka qenë dhe nuk është dhe as mund të jetë produkt i partive. Kreu “Partia si instrument i shtetit të masave të jashtëzakonshme” në librin e Fraenkel-it përbën njërin nga krerët më të kuptueshëm për lexues si tanët.

Në Rajhun e Tretë goditja Shtetit normativ iu dha nëpërmjet një akti të njohur si “Karta e Jashtëzakonshme Kushtetuese”, më sak të emërtuar “Dekreti për Mbrojtjen e Popullit dhe të Shtetit” i 28 shkurtit 1933. Ishte një ndërhyrje dinake në kushtetutën gjermane, shpallur në formë dekreti mbas djegies së Rajhshtagut – pra me t’u gjetur shkasi – dhe përbëhej nga tri seksione, të cilat autori i ka botuar në Shtojcat e librit.

Kështu filloi në Gjermaninë naziste kontrolli i sistemit gjyqësor nga partia në pushtet nëpërmjet policisë politike, instrument tipik i “shtetit të masave të jashtëzakonshme”: Maßnahmenstaat. Nuk u përdor termi anglosakson vetting, mbase ngaqë anglosaksonët qenë “armiq” të Rajhut të Tretë. Të drejtat e një individi do të vareshin nga vlerësimi politik që i bëhej atij. Deri edhe një dokument fillestar, për shembull certifikata e lindjes, mund të mos jepej nëse nuk miratohej nga policia politike.

Nëpërmjet kësaj teknike “shteti i masave të jashtëzakonshme” zuri të veçonte mes shtetasve të shtetit normativ ata që llogariteshin “armiq” në bazë arsyesh politike. Dhe nuk qe më çështje individësh: fjala ishte për masëmarrje qartësisht arbitrare ndaj grupesh popullsie të paracaktuara si “armiq të regjimit”. Si të tillë, “armiqtë e regjimit” do të asgjësoheshin edhe ekonomikisht etj. Ekzistimi kushtetues i lirive mbetej në fuqi, për sy e faqe i pacenuar, ndërsa ekzistimi i tyre në realitetin e përditshëm gjerman ishte asgjësuar kryekëput dhe “sovraniteti popullor” kishte mbetur një fjalë goje.

Kishte edhe gjermanë që rezistuan, që nuk u pajtuan, që protestuan dhe madje u flijuan duke lënë kokat për ta mbrojtur shtetin normativ. Të tjerë u lavirën duke u treguar të paqëndrueshëm. E shumta rezultuan të pakurajë, e mbyllën gojën me würstel dhe e shuan etjen me birrë të zezë. Ndoshta edhe u kërcënuan e shantazhuan, afërmendsh me forma të asaj kohe, ngaqë asomoti sms-të nuk ekzistonin.

Se në ç’katastrofë historike e shpuri popullin gjerman kjo dyfishësi shtetërore, kur “shteti i masave të jashtëzakonshme” ia doli ta nëpërkëmbte shtetin normativ, kjo po dihet. Gjermanët, që shfajësohen se e pësuan duke u zënë në befasi, e meritojnë t’ua kujtosh thënien e njohur të ustallarëve të materializmit historik të përsëritur për sa të tjerë: kombit dhe gruas nuk u falet çasti i dobësisë kur edhe aventurieri i parë mund t’i vërë poshtë e t’i përdhunojë.

Nëse në Shqipëri ndiqet me interes gjithë sa ndodh në Turqi mbas të quajturit grusht shteti të përdorur për shkas, – si thoshte Don Kishoti i Nolit për sebepin? – ose gjithë sa zhvillohet prej dy javësh në Rumani, ky interes vetëm në dukje i tepruar kot i shqetëson disa shkrues portalesh. Interesi i mirëfilltë nuk ka të bëjë me të qenit “vëllezër” ose “jovëllezër” me turqit e sotëm, as me simpatinë e posaçme për “revolucionarët” rumunë që rrëzuan diktaturën më 1989.

Sentimente të tilla, edhe në ekzistojnë, nuk janë jetike për qytetarët shqiptarë, ky është thelbi. Zhvillimet turke, si dhe ato rumune kanë të bëjnë me dhunimin e lirive kushtetuese dhe deformimin sulltanor të shtetit normativ: ato ndiqen me vëmendje ashtu siç ndiqet një fantazmë që të vjen rrotull dhe që një ditë prej ditësh rrezikon të të çatisë edhe ty brenda në shtëpi. Ja: prej Ernst Fraenkel-it mund të mësohet tanimë që kjo fantazmë është pikërisht “shteti i masave të jashtëzakonshme”.

Zgjatja më tej me ndonjë kapicë shembujsh aktualizues – ata po bëhen tanimë anekdotikë në Shqipërinë e “vettingut” – nuk do të kishte kuptim përderisa ky këtu nuk është veçse një rekomandim leximi për librin e politologut Ernst Fraenkel: “The Dual State: A Contribution to the Theory of Dictatorship”, New York 2010 (Oxford University Press).

Dhe leximi dihet që është çështje lirie individuale: si e lexoj unë nuk e lexon ti. Me interes është që tekste të tilla të mos mbeten pa u lexuar, pa le të lexohen edhe ndryshe. Vetë e rekomandoj me besimin se për shqiptarët “shteti i masave të jashtëzakonshme” – në kuptimin Maßnahmenstaat të z. Fraenkel – nuk ka sesi të jetë e ardhmja: ai është e shkruara që e shumta jonë e kemi përjetuar njëherë dhe që është refuzuar duke ia kthyer shpinën. Sa për ata që nuk parapëlqejnë të lexojnë, edhe ata janë në të drejtën e tyre: aty e kanë gotën e birrës dhe le të hanë würstel-in.

©Kabllogrami

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë