Shuhet shkimtari Rexhep Hoxha – klasiku i fundit i letërsisë shqipe për fëmijë në Kosovë

Ka vdekur në moshën 90 vjeçare, shkrimtari i njohur kosovar, Rexhep Hoxha. Lajmin për vdekjen e tij e kanë bërë publik, djemtë e shkrimtarit, Luani dhe Shpendi.

“Me pikëllim të thellë ju njoftoj se sonte në moshën 90 vjeçare pas një sëmundje të shkurtër ndërroi jetë baba im Rexhep Dervish Hoxha”, ka shkruar Shpendi, përcjell koha.net.

Rexhep Hoxha u lind në Gjakovë, në vitin 1929. Ishte shkrimtar e profesor. Ai i takon brezit të parë të shkrimtarëve për fëmijë në Kosovë. Mbaroi shkollimin fillor dhe Normalen në Gjakovë, ndërsa studimet për gjuhën shqipe i kreu në Beograd. Një kohë punoi mësues në Pogragjë të Gjilanit e pastaj profesor në Normalen e Gjakovës dhe të Prishtinës dhe në gjimnazin e Mitrovicës.

Më vonë, deri në pensionim, ligjëroi lëndën letërsi për fëmijë në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës. Punoi edhe si redaktor në “Rilindjen për fëmijë” dhe në emisionet për fëmijë të Radio Prishtinës.

Është autor i librit të parë për fëmijë të botuar pas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë, “Gjethe të reja”.

Botoi edhe libra të tjerë për fëmijë dhe për të rritur me poezi, tregime, romane për fëmijë, libra me poezi për të rritur, si dhe shkrime diskursive për letërsinë etj. Me librat e tij u rritën breza të tërë shkollarësh në Kosovë, sidomos atëherë kur kishte pak libra shqip.

Siç shkruan Xhevat Syla në Fjalorin Enciklopedik të ASHAK-ut, në poezinë tonë për fëmijë ai u bë i njohur me personazhin e tij Picimuli, një fëmijë simpatik, i cili lexuesve të vegjël u shërbeu si shembull i mirë në rritën dhe edukimin e tyre të shëndetshëm.

Romani “Lugjet e verdha” vjen si roman i parë i mirëfilltë në letërsinë shqipe për fëmijë në përgjithësi, i cili, si edhe disa romane të tjera të tij (“Verorja”, ”Lugjet e verdha” II) ndërtohet nëpërmjet gërshetimit të përrallës me motive reale. Hartoi edhe tekste shkollore. Veprat e botuara: “Gjethe të reja” (1953), “Picimuli” (1956), “Mbi krahët e fluturës” (1959), “Pika vese” (1966), “Lugjet e verdha” (1967), “Vargu idhnak” (1971), “Micimiri” (1976), “Lulëzo, vendi im” (1973), “Zëri i pyllit” (1974), “Tokë trëndafilash” (1979), Terorja”, (1983), “Zogu i qiellit” (1984), “Kënga e Cupërliqes” (1989), “Picimuli në Poroj” (2000) etj.

Një kohë punoi redaktor i “Rilindjes për fëmijë” në emisionin për fëmijë të Radio Prishtinës, ndërkaq shumë vite e ligjëroi lëndën Letërsi për fëmijë në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës.

Vepra të tij të njohura për fëmijë janë: “Gjethe të reja”, “Picimuli”, “Lugjet e verdha”, “Zëri i pyllit”, “Verorja”, “Ermali”, etj.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet sot, në orën 17:00, në varrezat e qytetit në Prishtinë. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë