Këshilli Drejtues i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) në një mbledhje të jashtëzakonshme ka vendosur që ta shpallë grevën e përgjithshme në arsim, që do të nisë nga 14 janari, ditë e hënë, transmeton Kabllogrami.
Gjatë kësaj mbledhje përfaqësuesit e sindikatës nga të gjitha komunat e Kosovës janë shprehur të vendosur që të futen në grevë. Ata kanë thënë se nuk do të tërhiqen nga greva nëse nuk ngritët 30% koeficenti i mësimdhënësve në projektligjin për paga. Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka deklaruar se ai është i obliguar që ta dëgjojë vullnetin e sindikalistëve.
“Më 14 janar i tërë sistemi arsimor do të futet në grevë. Nëse nuk ka ngritje 30% të koeficientëve ne nuk do ta anulojmë grevën”, ka theksuar Jasharaj.
Derisa po zhvillohej mbledhja e Këshillit Drejtues të SBASHK-ut aty ka ardhur edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) Shyqiri Bytyqi. Ai ka provuar t’i bind sindikalistët që të mos futen në grevë pasi sipas tij, kështu po dëmtohet procesi mësimor.
“Greva nuk do të zgjidhë problemin por vetëm sa do ta vështirësojë procesin. Greva është vendim i gabuar sepse kështu po dëmtohen fëmijët. Të ulemi të zgjidhim problemet pa pasur nevojë për presione”, ka deklaruar Bytyqi. /©Kabllogrami/