Nënkryetarja e partisë nga vinte edhe Ivanoviqi, Ksenija Bozhoviq, ka thënë se përveç deklarimeve politike nga Prishtina dhe Beogradi, as urdhëruesit e as kryesit e kësaj vrasjeje nuk dihen ende.
Kosova ka dështuar në zbardhjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit . Ky ka qenë mesazhi që u është përcjellë institucioneve në Prishtinë në njëvjetorin e vrasjes së liderit të Iniciativës Qytetare, Oliver Ivanoviq, raporton televizioni KTV.
“Me 6 plumba, Ivanoviqi u vra në këtë vend. Çdo muaj kërkuam të vërtetohet kush e vrau, e sot ende nuk kemi përgjigje ndaj pyetjes. Më nuk ekziston askush që do të na japë guxim e të gjithë mbetemi pa zë. Ende nuk kemi asnjë dëshmi lidhur me vrasësin e lëre më që vrasësi të gjendet. Këto institucione ata vetë i themeluan, andaj duhet të dinë se vrasësi duhet të gjendet që të mund të ndihemi të sigurt”, ka thënë Ksenija Bozhoviq nënkryetar e Iniciativës Qytetare Serbe.
Përkundër hetimeve dhe disa të arrestuarve lidhur me vrasjen e liderit të Iniciativës Qytetare Serbe, Oliver Ivanoviq, në njëvjetorin e kësaj vrasjeje, kjo vrasje vazhdon të mbetet mister për organet e drejtësisë.
Njëri nga avokatët e Ivanoviqit thotë se as një vit pas vrasjes nuk ka gjurmë që çojnë te kryesi.
“Unë mund them se jam i pakënaqur, se pas një viti nuk kemi kurrfarë gjurme të lidhur me hetimet e bëra . Janë tre të arrestuar për ndihmë, ndërsa ende nuk dihet kush janë kryesit kryesorë të kësaj vrasjeje. Unë nuk dyshoj që gjykata po mundohet në këtë rast, paralelisht edhe gjykata në Beograd po vazhdon hetimet. Presim drejtësi nga kudo që vjen, sidomos pasi Prishtina po i udhëheq hetimet”, ka thënë Ljubomir Pantoviq avokat i Oliver Ivanoviqit.
Oliver Ivanoviq u vra derisa po hynte në zyrën e partisë së tij, SDP-së, në Mitrovicën Veriore, me 6 plumba, më 16 janar 2018.
Ndërsa, prokuroria, deri më tani, ka arrestuar tre persona të dyshuar si ndihmës në këtë vrasje, derisa në kërkim vazhdon të jetë nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq. /©Kabllogrami/