SHBA: Funeral madhështor për ish presidentin George H.W. Bush
Shtetet e Bashkuara i kanё dhanë lamtumirën e fundit të mërkurën ish-presidentit George H.W. Bush me një funeral madhёshtor në Uashington, ku morën pjesë figura të larta të politikës amerikane, së bashku me udhëheqës aktualë e të mëparshëm nga e gjithë bota, raporton Kabllogrami.
Ish-presidentët amerikanë Jimmy Carter, Bill Clinton dhe Barack Obama iu bashkuan Presidentit Donald Trump, gjatë shërbimit të përmortshëm për ish-presidentin George H.W. Bush në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit, ku fjalimi kryesor u mbajt nga George W. Bush, djali i presidentit të ndjerë si dhe Presidenti i 43-të i SHBA-së.
“Ai na mësoi se shërbimi publik ishte diçka fisnike dhe e domosdoshme”, tha ish-Presidenti Bush përpara të pranishmëve në katedralen shpirtërore episkopale. Ndërsa mbaronte fjalimin George W. Bush nisi të qajë. Ai e përshkroi babanë e tij si “një njeri të madh e fisnik”.
Presidenti Trump nuk mbajti fjalim gjatë funeralit, por më herët në një postim në Twitter shkruante: “ky nuk është një funeral, kjo është një ditë kremtimi për një njeri të madh që ka pasur një jetë të gjatë e të shquar. Do të na mungojë! ”
Kancelarja gjermane Angela Merkel, Princi Charles i Britanisë, Mbreti Abdullah i Jordanisë dhe Presidenti polak Andrzej Duda ishin mes atyre që ndoqën funeralin për nder të presidentit të 41-të të SHBA, i cili vdiq në moshën 94 vjeçare.
Gjatë shërbesës u mbajtën fjalime edhe nga ish-kryeministri kanadez Brian Mulroney, ish-senatori amerikan Alan Simpson dhe historiani Jon Meacham, biograf i Bushit.
Mulroney, udhëheqësi kanadez në kohën kur George H.W. Bush ishte në Shtëpinë e Bardhë prej vitit 1989 deri në 1993, tha se në historinë e Shteteve të Bashkuara ai nuk besonte kurrë se do të kishte një president “më të guximshëm, më parimor apo më të nderuar se George Herbert Walker Bush”.
Ish-presidenti Bush i vjetri do tё përkujtohet për heroizmin e tij si një pilot i marinës, rolin udhëheqës në skenën botërore kur Bashkimi Sovjetik u shemb dhe Gjermania lindore dhe perëndimore u ribashkuan në fillim të viteve 1990 sikurse dhe për mirësjelljen e dashamirësinë e tij si në jetën personale ashtu edhe atë publike. Gjithashtu, shqiptarёt do ta mbajnё mend pёr kёrcёnimin dhe vijat e kuqe tё cilat ia diktoi Millosheviqit pёr krishtlindjet e vitit 1992, nё rast tё njё sulmi ushtarak ndaj popullit tё Kosovёs. /©Kabllogrami/