Presidenti i Kosovës, Thaçi, dhe presidenti serb, Vuçiq, kanë përgatitur një draft-marrëveshje gjithëpërfshirëse për t’i dhënë fund konfliktit që ka përcaktuar marrëdhëniet e Serbisë me qytetarët e saj shqiptarë për një shekull. Tani është pothuajse gati për t’u nënshkruar, por hapat drejt saj po bllokohen nga refuzimi i kryeministrit të Kosovës, Kurti, për ta hequr taksën ndaj importeve serbe dhe si pasojë e një mosmarrëveshjeje kushtetuese se kush është përgjegjës për dialogun me Serbinë. Drafti siç raportohet përfshin shkëmbimin e territorit.
Washingtoni po kërcënon me tërheqjen e trupave amerikane si shenjë hakmarrjeje dhe Thaçi po e shfrytëzon presionin e përshkallëzuar amerikan mbi Kurtin për të nxitur rrëzimin e qeverisë së tij. Thaçi thotë se refuzimi i Kurtit kërcënon rrezikshëm marrëdhëniet me SHBA-në.
Kurti ka ndërmarrë një qasje më të përgjegjshme, duke hequr tarifën njëanshëm për disa produkte më 15 mars dhe duke ofruar heqjen e plotë më 1 prill nëse Serbia reagon në mënyrë konstruktive. Dhe ai i shkroi sekretarit të shtetit Pompeo se do t’i heqë tarifat dhe vetë ai do ta rinisë dialogun nëse Serbia reagon me konstruktivitet ndaj heqjes graduale të tarifës.
Në fund të një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës afër mesnatës së 11 marsit, kryetarja e Kuvendit propozoi heqjen e tarifave dhe në të njëjtën kohë Thaçi të heqë dorë nga udhëheqja e dialogut. Tani nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë.
Liderët e Kosovës duhet ta dinë se miqësia me SHBA-në është dhe do të mbetet e fortë, pavarësisht mosmarrëveshjes për tarifën.
Më 2016, Thaçi dhe Vuçiqi vendosën të refuzojnë qasjen hap-pas-hapi të BE-së të nisur më 2013 në favor të një marrëveshjeje të madhe dhe gjithëpërfshirëse. BE-ja kishte ndërmjetësuar një sërë marrëveshjesh teknike – diplomat universitare, targat e automjeteve, sigurimet e automjeteve e të ngjashme – që do të kulmonte në një marrëveshje gjithëpërfshirëse, më në fund duke “normalizuar” marrëdhëniet e tyre me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Por pak nga marrëveshjet teknike janë zbatuar dhe dialogu ka stagnuar.
Dy presidentët u takuan fshehurazi, sipas shumë njoftimeve, shpesh nën kujdesin e ish-përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Mogherini. Deri në nëntorin e vitit 2019, këto takime prodhuan një draft që u raportua se ishte gati për t’u nënshkruar me përjashtim të disa detajeve.
Drafti, sipas informatave që kanë rrjedhur në publik, përfshinte shkëmbimin e territoreve (disa pjesë të veriut të Kosovës nga lumi Ibër, dhe disa pjesë të Luginës së Preshevës në jug të Serbisë), një asociacion të komunave serbe për autoritetin e të cilit mbetet të pajtohen palët, për ekstraterritorialitetin për manastiret serbe dhe pa njohje de jure nga Serbia, por një përkushtim serb për të mos bllokuar pranimin e Kosovës në OKB.
Se çfarë do të bëjë Rusia në KS të OKB-së është problematike, pavarësisht garancive të dhëna nga Putini ndaj Vuçiqit e Thaçit më 2018 se Rusia do të mbështetë çfarëdo që dakordohen Serbia dhe Kosova.
Shkëmbimi i territoreve (ndarja) dhe asociacioni ngritën flamujt e kuq tek shumë diplomatë e vëzhgues. Ndarja rrezikon shkëmbim të detyrueshëm të popullatës e madje edhe dhunë. Për më keq, mund të ringjallë ëndrra të nacionalistëve radikalë edhe në pjesë të tjera të Ballkanit. Një asociacion virtualisht autonom i komunave serbe ngjan me Republikën Serbe të Bosnjës. Kosova edhe ashtu ka mjaft gjëra që s’i funksionojnë për t’ia shtuar edhe një.
Duke qenë në detyrë për pak a shumë një muaj, Kurti është nën presion të lartë e përshkallëzues nga SHBA-ja, dhe nën presion të shtuar nga partneri i tij i koalicionit, për t’i hequr tarifat menjëherë në mënyrë që të vazhdojë dialogu dhe Thaçi e Vuçiqi të përfundojnë marrëveshjen gjithëpërfshirëse.
Vuçiqi nuk do të ulet sërish në tavolinë pa i hequr së pari Kosova tarifat tërësisht. Kurti ka ofruar kompromis: t’i heq gradualisht tarifat duke i hequr fillimisht për lëndën e parë më 15 mars. Me sa duket, 80% e importeve janë lëndë e parë, prandaj hapi i Kurtit u afrohet shumë kërkesave të Serbisë, SHBA-së dhe BE-së. Për më tepër, Kurti ofroi heqjen e tarifës së mbetur më 1 prill nëse Serbia reagon duke i hequr të gjitha barrierat jotarifore për tregti me Kosovën dhe të ndalojë fushatën e saj për t’i bindur shtetet që e kanë njohur Kosovën ta tërheqin njohjen.
Washingtoni ka refuzuar kompromisin dhe insiston në heqjen e tërësishme të tarifës menjëherë dhe ka kërcënuar të ndalojë miliona dollarë të ndihmës financiare dhe rrjedhimisht edhe tërheqjen e trupave ushtarake amerikane nga Kosova.
Megjithatë, Vuçiqi nuk do të rinisë dialogun deri pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi më 26 prill. Qëllimi i tij publik është të dalë më mirë me Partinë e tij Progresiste sesa në fitoren e tij të fundit parlamentare dhe nuk dëshiron t’u japë kundërshtarëve të tij nacionalistë radikalë ndonjë arsyetim për ta akuzuar atë se po e shet Kosovën.
Për rrjedhojë, Vuçiqi refuzoi javën e kaluar të lëvizte përpara në dialog kur u shty nga këshilltari i Sigurisë Kombëtare, O’Brien, nga i dërguari special Grenell dhe nga dhëndri i Trumpit, Kushneri, duke ritheksuar se nuk do të rinisë dialogun derisa Prishtina t’i heqë tarifat. As premtimet e Kushnerit për asistencë dhe investime të mëdha të huaja nuk e detyruan Vuçiqin të lëvizte.
Në një intervistë me t’u kthyer në shtëpi, Vuçiqi deklaroi se nuk do të kthehet në Washington për të rinisur dialogun deri pas zgjedhjeve dhe kritikoi nxitimin për të arritur një marrëveshje të shpejtë. Vuçiqi u lumturua kur pa presionin nga SHBA-ja ndaj Kurtit për të rinisur dialogun për shkak të refuzimit të tij për t’i hequr tarifat menjëherë.
Por, pse tërë kjo nguti? Kurti do t’i heqë shumicën e tarifave këtë fundjavë dhe Vuçiqit nuk i ngutet për t’i rinisur negociatat. Për më tepër, për dallim nga Washingtoni, Brukseli ka mirëpritur vendimin e Kurtit për të nisur heqjen graduale të tarifave dhe nuk po i bën shumë presion publik atij për të bërë më tepër. Dhe në fund, nga do të vijnë “qindra miliona dollarë” të investimeve të huaja direkte dhe ndihma e premtuar nga Washingtoni, veçanërisht kur SHBA-ja nuk ka koordinuar nismën e saj me BE-në?
Do të ishte mençuri po të lëvizej gradualisht dhe të ndërtohej konsensus mes liderëve politikë dhe shoqërisë për ndryshimet që do t’i prodhonte marrëveshja përfundimtare. Politikanët e Kosovës dhe publiku kanë nevojë për transparencë: nuk ka pasur fare. Thaçi duhet të jetë i hapur për përmbajtjen e marrëveshjes në mënyrë që politikanët dhe shoqëria të vendosin për të, në vend se të befasohen më vonë nga ajo dhe pasojat e saj. Kosovës i nevojitet kohë për të arritur konsensus se si të procedojë me dialogun në një formë demokratike, dhe të mos detyrohet të marrë vendime të shpejta.
Në përfundim të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit për tarifat më 11 mars, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani (nënkryetare e LDK-së), duke e qortuar Thaçin, bëri thirrje që të hiqen tarifat në të njëjtën kohë me tërheqjen e tij nga dialogu. Qortimi i Osmanit vë në theks refuzimin e Thaçit për t’iu bindur kërkesës kushtetuese se është detyrë e qeverisë që t’i drejtojë negociatat e këtilla.
Janë Washingtoni dhe Thaçi që po bëjnë presion për një marrëveshje tani, dhe për rrjedhojë po i bëjnë presion të shtuar Kurtit për t’i hequr tarifat. Presidenti Trump, O’Brien dhe Grenelli janë prapa shtytjes për një marrëveshje të shpejtë.
Trumpi po kërkon për një marrëveshje të shpejtë për të rritur shanset e rizgjedhjes së tij që po duken më të zbehta për shkak të krizës ekonomike dhe shëndetësore të shkaktuar nga pandemia e pasuar me rënien e çmimit të naftës dhe gjasat që ish-Nënpresidenti Biden do të jetë kandidati demokrat.
Nga ana e tij, Thaçi e sheh marrëveshjen si një plotësim i trashëgimisë së tij pasi drejtoi UÇK-në dhe fitoi pavarësinë. Por ai ka edhe konsiderata të tjera më të rëndësishme politike. Ai do të donte ta rrëzonte Qeverinë Kurti, jo vetëm për të rimarr kontrollin e dialogut, por edhe për të mbrojtur veten dhe miqtë e tij të korruptuar nga përpjekjet e Kurtit për të çrrënjosur korrupsionin e përhapur. Synimi i Thaçit është që më pas të arrijë një qeveri të re koalicioni me LDK-në, partnerin aktual të koalicionit të Kurtit, dhe me PDK-në, parti të cilën Thaçi e themeloi.
Intervenimi i Trumpit për të marrë në dorë dialogun i ka dhënë Thaçit mundësinë për ta bërë këtë. Ai po i shfrytëzon kërcënimet për veprime ndëshkuese nga SHBA-ja për ta goditur Kurtin dhe po tenton ta mbledhë LDK-në dhe opozitën parlamentare që të kërkojnë heqjen e tarifave menjëherë. Në deklarimet e tij publike këtë javë, Thaçi akuzoi se veprimet e Kurtit kërcënuan marrëdhëniet me SHBA-në dhe “vetë të ardhmen e shtetit tonë”, një akuzë e papërgjegjshme.
Ndërsa lideri i LDK-së mbështet Thaçin, për momentin Kuvendi nuk po e mbështet Thaçin dhe situata është në ngërç.
Vlen t’ua rikujtojmë liderëve kosovarë se asnjë marrëveshje gjithëpërfshirëse nuk do t’i japë fund armiqësisë së Serbisë ndaj ish-provincës së saj. Derisa Serbia të pranojë se çfarë ka bërë në Kosovë nën sundimin e Millosheviqit, marrëdhëniet e tyre nuk do të jenë as normale e as miqësore.
Më e rëndësishmja është se duhet t’ua rikujtojmë liderëve kosovarë se SHBA-ja është dhe do të mbetet mik i fortë, dhe kjo nuk do të ndryshojë pavarësisht kërcënimeve të Trumpit, O’Brienit, Grenellit, Pompeos e Kushnerit. Kosova nuk duhet të detyrohet të pranojë një marrëveshje me pasoja me një Serbi armiqësore, të cilën politikanët dhe publiku i saj nuk e kanë parë, për shkak të motiveve vetëshërbyese të një politikani.
Shaun Byrnes është diplomat i pensionuar amerikan që shërbeu si shef i misionit mbikëqyrës amerikan në Kosovë më 1998-99. Shkrimi i tij është botuar në web-faqen e analistit të njohur, Daniel Serwer.