Serbit të arrestuar në Jarinjë një muaj paraburgim për krime lufte në Kosovë
Lubomir Pantoviq, avokat i të arrestuarit Zoran Gjokiq, ka konfirmuar se klienti i tij, i arrestuar mbrëmë rreth orës 21:50, nga Policia e Kosovës në pikën kufitare në Jarinjë si i dyshuar për krime lufte, është paraqitur në Gjykatën Themelore të Pejës ku ka hedhur poshtë pretendimet e prokurorit special të Kosovës të ketë kryer krime lufte në Pejë gjatë luftës në Kosovë më 1999.
Këto pohime avokati Pantoviq, i ka bërë për agjencinë serbe të lajmeve “Srna” me bazë në provincën e ashtuquajtur ‘Republikën Serbe’ në shtetin e Bosne dhe Hercegovinës,
Gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorit që Gjokiqi të mbetet në paraburgim deri në marrjen e një vendimi, i cili, sipas Pantoviqit, palës mbrojtëse do t’i dorëzohet të dielën ose të hënën.
“Prokurori ka kërkuar që Gjokiqi të mbetet në paraburgim prej 30 ditësh, por klienti im, duke demantuar akuzën, ka paraqitur dëshmi valide që hedhin poshtë pretendimet e prokurorisë”, tha Pantoviqi, transmeton Koha.net.
Gjokiq (48 vjeç) u arrestua mbrëmë në pikën kufitare të Jarinjës nën dyshimit për krime lufte gjatë luftës në Kosovë. Ai u arrestua në bazë të urdhërarrestit të lëshuar nga Gjykata Themelore – Departamenti për Krime të rënda në Pejë, ndërsa sot nga qendra e paraburgimit në Prishtinë u dërgua në Pejë, ku do të qëndrojë deri në marrjen e vendimit. /©Kabllogrami/