Serbia vazhdon të ndërtojë shtëpi në lagjet veriore

Serbët kanë vazhduar të ndërtojnë shtëpi në lagjet shqiptare në veri të Mitrovicës me gjithë kundërshtimin e shqiptarëve. Në lagjen “Kroi i Vitakut” synohet të sillen serbë, të cilët nuk kanë jetuar asnjëherë në atë pjesë, ndërkohë që shqiptarëve nuk u është lejuar t’i rindërtojnë shtëpitë e djegura e të rrënuara gjatë luftës. Qeveria e Kosovës me projekt për rindërtimin e 300 shtëpive në veri të Mitrovicës, shkruan gazeta “Zëri”.

Në lagjet veriore të Kosovës me shumicë të popullatës shqiptare ka vazhduar ndërtimi i shtëpive për serbët. Administrata Komunale e Mitrovicës së Veriut u ka lejuar serbëve të ndërtojnë shtëpi në atë pjesë të Mitrovicës, sidomos në lagjen “Kroi i Vitakut”, derisa shqiptarët nuk mund të marrin leje për rindërtimin e shtëpive të tyre.

Rreth 300 shtëpi të shqiptarëve në lagjet veriore të Mitrovicës ende janë gërmadha, pasi ndërtimi i shtëpive nuk lejohet nga Komuna Veriore e Mitrovicës, e cila udhëhiqet nga kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq.

Shumë shqiptarë të lagjeve veriore, të dëbuar nga veriu i Mitrovicës në vitin 2000, edhe më tutje jetojnë si refugjatë në jug të qytetit të Mitrovicës, në kushte të rënda të banimit. Shqiptarët e Mitrovicës së Veriut shprehen të shqetësuar për shkak të ndërtimit të shtëpive për serbët, duke siguruar se shtëpitë janë duke u ndërtuar për serbët që asnjëherë nuk kanë jetuar në atë pjesë.

Në lagjen “Kroi i Vitakut”, ku janë intensifikuar ndërtimet për serbët, Komuna e Mitrovicës së Veriut nuk ka lejuar asnjë shqiptar ta rindërtojë shtëpinë ose të ndërtojë shtëpi të re në pronën e vet.

©Kabllogrami

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë