Nuk do të ndërpritet greva në arsim. Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ua ka bërë të qartë deputetëve të Komisionit për Arsim, se greva e mësimdhënësve nuk do të ndërpritet. E vetmja kërkesë, sipas Jasharajt, është nivelizimi i këtij sektori me sektorët e tjerë dhe nuk ka kthim prapa për rritjen prej 30% të koeficientit për mësimdhënës, duke ftuar Qeverinë dhe të gjitha institucionet relevante që të punojnë në këtë drejtim.
E, këtu Teuta Haxhiu nga AAK-ja u kujdes t’i tregojë Jasharajt se Qeveria nuk ka më punë. Të gjithë anëtarët e komisionit ishin të pajtimit se koeficienti aktual i mësimdhënësve është i ulët, mirëpo greva e filluar të hënën, e vlerësua si jo e duhur në këtë kohë.
Njëjtë mendon edhe ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi. Ai ka thënë se i ka dërguar vërejtjet në Ministrinë e Administratës Publike rreth Ligjit për paga, por të gjendur në këtë situatë, i kanë kërkuar SBASHK-ut, mirëkuptim, raporton KTV.
Në fund të takimit, Teuta Haxhiu nga AAK-ja kërkoi që në emër të Komisionit për Arsim, t’i dërgohet një kërkesë Komisionit për Administratë Publike që të diskutohet tutje për koeficientin e mësimdhënësve.
Por, nga aty u përplas ashpër me deputeten e VV-së, Arbërie Nagvaci, duke e akuzuar se motra e saj në një organizatë ua merr 250 euro mësimdhënësve për një trajnim. E deputetja Nagavci i quajti të pavërteta akuzat e saj, dhe e paralajmëroi se për këtë çështje, me deputeten Haxhiu do të diskutojnë në gjykatë, derisa përplasja mes tyre ka vazhduar edhe në korridor. /©Kabllogrami/