Ish-Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Klaus Kinkel, i cili vdiq dje në moshën 82 vjeçare, në fund të viteve 90’të kishte marrë një qëndrim të ashpër kundër brutalitetit të diktatorit serb Slobodan Millosheviq në Kosovë, duke kërcënuar edhe me intervenim të NATO’s. Por, kryediplomati gjerman në vitin 1998 preferonte që Kosova të kishte vetëm një autonomi dhe jo pavarësinë.
Sipas agjencive të huaja të cilat raportonin për takimin Rugova – Kinkel në vitin 1998 dy palët kishin dalë me qëndrime të kundërta.
Lideri i shqiptarëve të Kosovës Ibrahim Rugova nuk është pajtuar në Bon me zyrtarë të lartë gjerman rreth statusit të ardhëm të “provincës jugore serbe”, njoftonin agjencitë e lajmeve, përcjell Express, për takimin e 25 qershorit të vitit 1998.
Aty rikujtohej se Rugova angazhohet për pavarësi të menjëhershme për Kosovën ndërkohë që ka ngritur edhe çështjen e protektoratit ndërkombëtar për Kosovën, por ka refuzuar bisedimet me Presidentin Jugosllav Sllobodan Millosheviq.
Por, Kinkel e kishte bërë të qartë para 21 vitesh se Gjermania nuk e mbështet pavarësinë e Kosovës, e cila ishte inkorporuar dhunshëm në Serbi në vitin 1989, kur Beogradi e kishte hequr autonominë.
Kinkel kishte thënë me këtë rast se Gjermania mbështet përpjekjet për ta rikthyer autonominë e Kosovës, por kishte përsëritur se kriza duhet të zgjidhet me mjete paqësore duke bërë thirrje po ashtu për presion që të dyja palët të ulen në tryezë për bisedime.
Kinkel kishte ngritur mundësinë e prerjes së marrëdhënieve diplomatike me Beogradin dhe përdorimin e forcës nga NATO me mandat të KS të OKB’së për ta ndalur dhunën në rajon. /©Kabllogrami/