Rrjetet sociale komunikim apo sëmundje?!

Rubrika: Shpërputhje Kulturore nga Avni Azizi

Gjatë dy dekadave të fundit, rrjetet sociale janë bërë pjesë integrale e jetës sonë. Është e vështirë të imagjinojë një njeri, apo i ri, jetën e tij pa internet. Madje disa kanë krijuar varshmëri aq të thellë sa që rrjetet sociale dhe interneti u është bërë pjesë e jetës, oksigjen apo ashtu siç ajri që thithin çdo çast.

Në ditët tona, përditshmëria jonë është pothuajse e përfshirë nga teknologjia, dhe duket sikur ne nuk bëjmë dot pa të. Faqet e rrjeteve sociale janë kudo dhe të përdorura në mënyrë permanente. Pa asnjë dyshim – ky është një burim i fuqishëm që mbulon një numër të madh të vizitorëve, dhe njerëzit çdo ditë i përdorin ato,  por, në mënyra të ndryshme…

Është e vërtet se rrjetet sociale na japin mundësi të ndryshme. Nuk është vetëm komunikimi dhe njohjet dhe miqësitë e reja, por edhe një mundësi për t’u prezantuar njerëzve të tjerë arritjet tona. Për të këmbyer ide reciproke… Interneti, po ashtu na jep një mundësi të shkëlqyer për t’u treguar dhe shfaqur para të tjerëve talentet tona.

Në botën virtuale, ju mund të jetoni ashtu siç ju pëlqen. Ju mund të bëheni dhe të prezantoheni si të doni, edhe në qoftë se në jetën reale ju jeni humbës, i papunë, njeri i vetmuar… edhe në qoftë se në jetën tuaj reale ju nuk keni shkruar kurrë një rresht të vetëm, në botën virtuale ju mund ta bëni një postim, mund të tregoni çfarë keni blerë, çfarë makine po vozisni, madje ka edhe nga ata që paraqesin edhe çfarë janë duke ngrënë për momentin, pra, në botën virtuale ju mund të dukeni dikush, mund ta prezantoni edhe dëshirën çfarë dëshironi të jeni. Dhe këtu qëndron rreziku i parë sa i përket rrjeteve sociale, apo internetit.

Bazuar në fakte, duket se shumica e të rinjve tanë janë të varur nga interneti dhe rrjetet sociale. Ata nuk munden pa hyrë disa herë në ditë nëpër këto rrjete, sidomos facebook, instagram, snapchat etj.  Duke kaluar për orë të tëra pranë internetit dhe shfletimeve të faqeve të ndryshme si të rrjeteve sociale por, edhe nga ato me përmbajtje eksplicite… Pa mëdyshje, se nga frymëzimet dhe ndikimet e tilla lind edhe mizoria, agresioni, zemërimi, përtacia, dhe indiferenca ndaj gjithçkaje rreth tyre.

Me gjithë, tërheqjen që kanë rrjetet sociale, në faqen e tyre të padukur fshihen disa nga rreziqet për të cilat duhet të jemi të vetëdijshëm. Pengesa më e rëndësishme e rrjeteve sociale është publikimi dhe qasja e lirë në të dhënat personale të një njeriu. Shumica e rrjeteve mbledhin të dhëna shumë më tepër sesa kërkohet aktualisht për regjistrim të popullsisë. Sot ndikimi psikologjik i medies sociale është i madh. Ajo ushtron ndikim të fuqishëm psikologjik, social, politik, dhe ekonomik…

Varësia dhe rreziku nga rrjetet sociale

Pa u ndalur në origjinën dhe historinë e zhvillimit të rrjeteve sociale, apo mundësitë që ai ofron, një brengë e veçantë në ditët tona mbetet pa mëdyshje edhe ndikimi i rrjeteve sociale, veçanërisht për rininë dhe formimin e tyre.

Të jesh i varur ndaj rrjeteve sociale do të thotë, të humbasësh pothuajse edhe kontaktet me miqtë apo të afërmit.  Kjo gjë mund të ndodh në këtë mënyrë kur individi nuk del me shoqërinë e tij por preferon një mjet me të cilin mund të komunikoj ose të luajë gjatë gjithë kohës. Një individ i tillë i varur nga rrjetet sociale mund të përjetojë ndjenja të tilla si ankth, stres, depresion si dhe disa çrregullime te tjera psikologjike, të cilat mund të rëndohen me kalimin e kohës.

Pra, kur të rinjtë qëndrojnë me orë të tëra para kompjuterit, telefonit celularë, dhe tabletave të ndryshme  ata ndalojnë komunikimin me familjen, të afërmit dhe miqtë në jetën reale. Ata bien në varësi nga teknologjia dhe harrojnë se si të bashkëveprojnë me botën rreth tyre. Kur mos kontrolli, dhe mos përzgjedhja e anës së duhur edukative, arsimore e shkollore, të cilat i ofron sot interneti, nuk janë preferencë e të rinjve tanë, atëherë në psikologjinë e tyre doemos krijohet imazhi i dëshiruar, pamja jo reale, imagjinatave që mund të jetë pak ose aspak e realizuar në jetën reale.

Rrjetet sociale sidomos, pjesën e rinisë jo rrallë e infektojnë edhe me virusin e zilisë. Kur ata vizitojnë rrjetet sociale, shumë përdoruesve u lind zilia… Si rezultat i kësaj shumë të rinj fillojnë ta zhvleftësojnë jetën e tyre. Ata nuk janë në gjendje të analizojnë dhe të marrin parasysh edhe anën tjetër, pamjen e padukshme që fshihet jashtë çdo shkëlqimi të paraqitur nëpër rrjetet sociale.

Gjithashtu përdorimi i tepruar i rrjeteve sociale në vend të mjeteve të komunikimit ato bëhen shërbëtorë të kotësisë sonë – na lejojnë të prezantojmë vetveten dhe jetën tonë më mirë se në jetën reale dhe siç është në të vërtetë. Tek një pjesë e shoqërisë, e cila fatkeqësisht, nuk është vetëm tek të rinjtë, komunikimet publike dhe rrjetet sociale nxisin të adhurojnë egon e tyre!, Vetë pëlqimin.

Shumë njerëz portretizojnë një jetë të mrekullueshme në rrjetet sociale, dhe gjëja e parë që lind në këtë mes është zilia dhe egoja si dhe ndjenja për të komentuar dhe shkruar nën nxjerrjen e postimit.  Këtu njerëzit nuk kanë kohë për të menduar dhe duhet shkruar e përgjigjur sa më shpejtë të jetë e mundur. Në këtë rast nuk mund të fshihet asgjë… këtu sheshohen njohuritë, sidomos ato të gjuhës, njohuritë dhe formimet e përgjithshme intelektuale, njerëzore e shkollore.

Zhvillimi i ndjenjës së narcizmit 

Zhvillimet e teknologjive të avancuara dhe ato të rrjeteve sociale si Facebook, Instagram, snapchat e tjera zbuluan edhe një tjetër sëmundje të zakonshme të kohëve tona – atë të narcizmit.

Nën petkun e kësaj patologjie, është e shpërfaqur çrregullim serioz të personalitetit dhe ai karakterizohet nga dyshimi, paranoja, ndjenja e madhështisë dhe ekstreme të ndryshme, pastaj mizoria sadiste, e ndjekur nga mungesa e plotë të ndjenjës së thjeshtësisë.

Njerëzit e tillë gradualisht formojnë besimin e tyre për superioritet mbi të tjerët, bindje të padiskutueshme për të tjerët, madje edhe jo tolerancë si mungesë e plotë e ndjeshmërisë së tyre. Kjo formë patologjike e egoizmit, por e një egoizmi mizor, keqdashës, dhe të pamëshirshëm ushtron një vetë kënaqje qoftë ajo e shprehur tek publiku apo edhe brenda vetvetes.

Njerëzit dhe bartësit e ndjenjave të tilla shprehin rritjen e vëmendjes për personalitetin e tyre. Një manifestim i keq i cili shpie edhe drejt veprimeve të gjërave të pakontrolluara vetëm për tu bërë vëmendja e opinionit dhe publikut. Këta njerëz janë tmerrësisht të prirë nga xhelozia (ata duan me çdo kusht të ruajnë pozitën e tyre të veçantë të shkëlqimit dhe dukjes publike) por, në të njëjtën kohë ata janë shumë të pasigurt dhe të shqetësuar për të zgjidhur një problem të veçantë.

Simptomat dhe deformimet e personaliteteve të narcizmit vërehen edhe nëpër rrjetet sociale. Ndjenjat e tyre të superioritetit, të respektit për vetveten, të dashurisë dhe bukurisë për vetveten janë pamja e tyre e dhembshme, pamjaftueshmëria e parimeve personale. Dihet se sot, teknologjia informatike dhe filtrat e ndryshme të rrjeteve sociale riprodhojnë variante të shumta të retushimit dhe dukjes së njeriut, të shfaqjes së bukurisë së tij, por prezantimi i shpeshtë dhe aq i imponuar dhunshëm, shpërfaqë ndjenjat e pandërgjegjshme dhe të varësisë.

Fundja secili nga njerëzit, të cilësdo kategorie shoqërore apo sociale që i takon ka të drejtë të zgjedhë fatin e vet, të vuaj apo të gëzohet nga çfarëdo varësie, të jetoj në mënyrën e bërjes së jetës së tij. Por të mos harrojmë se ne të gjithë jetojmë në të njëjtën botë, pa marrë parasysh se është e vërtetë apo virtuale. Dhe mos të harrojmë se edhe rrjetet sociale janë pjesë e botës sonë, dhe mënyra se si të përdoren ato, u takon vetë përdoruesve dhe ata janë të lirë të zgjedhin. Por, njeriu shpiku kompjuterin, dhe është për të ardhur keq madje është e mjerueshme kur kompjuteri kontrollon një pjesë të njerëzve dhe bëhet varësia e jetës së tyre. /©Kabllogrami/

 

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë