Lideri i Lëvizje Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar pas akuzave të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, se prapa organizatës “Syri i Popullit”, qëndron Albin Kurti, Glauk Konjufca dhe Sabri Ramabaja.
Albini, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se “Presidenti Thaçi është në panik. Shqetësimi i tij iracional nuk ka të bëjë me shtetin tonë të pavarur por me pazarin e tij me Serbinë”.
“Viti 2019 do të jetë viti i ndryshimeve për Kosovën. Sepse nuk shkëmbehet Kosova me Serbinë. Sepse nuk zëvendësohet Gjermania me Rusinë”, ka shkruar Kurti.
Ai tutje ka thёnё se “nuk merret me shpifjet e presidentit qё po ikën më shpejt se ç’është menduar”.
Nё vijim mund ta lexoni tё plotё postimin Albin Kurtit:
“Më 31 mars 2018, mua dhe Glaukun na akuzonte për lidhje me Rusinë dhe Iranin. Më 9 korrik, vetë presidenti Thaçi shkoi e takoi Medvedevin, kurse më 12 nëntor 2018 u takua me Putinin. Tash shpif për lidhje tjera të paqena.
Qëndrimet dhe veprimet tona janë publike, të drejta dhe të qarta. Me shpifjet e këtij presidenti që po ikën më shpejt se ç’është menduar nuk merrem. Viti 2019 do të jetë viti i ndryshimeve për Kosovën. Sepse nuk shkëmbehet Kosova me Serbinë. Sepse nuk zëvendësohet Gjermania me Rusinë.
I ftoj qytetarët e Republikës së Kosovës dhe aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! ta ruajnë qetësinë. Presidenti Thaçi është në panik. Shqetësimi i tij iracional nuk ka të bëjë me shtetin tonë të pavarur por me pazarin e tij me Serbinë. Ai po dështon. Ai po shkon”, ka thёnё Albini nё fund tё postimit tё tij në Facebook. /©Kabllogrami/