Politikania serbe nga Graçanica, Rada Trajkovic, zbulon detaje të padëgjuara deri më tani – për vrasjen e Oliver Ivanovicit, frikën e serbëve kosovarë nga shërbimi sekret serb, dominimin e mafies në komunitetin serb në Kosovë, rolin e Milan Radoiçiçit në punësimin e pastrueseve në institucionet kosovare dhe për bashkëpunimin dhe komunikimin e ngushtë mes kabineteve të presidentëve të Serbisë dhe Kosovës.
Nё fillim tё viteve ’90 kur ishte nё ekspanzion politika nacional-fashiste e Millosheviqit, edhe Rada Trajkoviqi si duket e eksaltuar me euforinё fashizoide tё kohёs, i quante nёnat shqiptare “lavatriqe’ duke thёnё se s’dinё gjё tjetёr pos tё lindin fёmijё. Ёshtё e vёrtetё se rritja e natalitetit nё atё kohё i pengonte mё sё shumti hegjemonisё serbe.
Ka qenë anëtare e Partisë Radikale të Vojislav Sheshelit dhe deputete e parlamentit serb. Më 1998 ka qenë për një kohë të shkurtër ministre për familje e Serbisë. Atëbotë ajo ishte fjalosur rëndë me Sheshelin dhe qe larguar nga partia e tij. Rada Trajkoviq për shqiptarët nuk është politikane e panjohur. Nga një nacionaliste e ashpër ajo me kalimin e viteve është përpjekur të luajë rolin e politikanes së moderuar.
Në një intervistë dhënë revistës ‘Vreme’ të Beogradit, pёrcjell lapsi.al, Trajkoviq, thotë se presidentit serb, negociatat me Kosovën i shërbejnë për të mbetur në pushtet duke pasur parasysh dosjen e trashë që ai ka te bashkësia ndërkombëtare në kuptim të kriminalitetit dhe korrupsionit. “Nga ana tjetër rrëfimi për ndarjen e Kosovës i shkon për shtati (Hashim) Thaçit, sepse përkufizimi është punë e ndërlikuar dhe komplekse. Nuk mund të zgjidhet shpejt. E di se kjo paqartësi ju shqetëson, por ata duan të vazhdojnë. Edhe njëri, edhe tjetri. Shumë gjëra që po ndodhin, ata dy i koordinojnë, ato gjëra janë aq kompatible mes Thaçit dhe Vuçiqit, saqë është e tmerrshme. Frikësohem se edhe biznesin e kanë tё pёrbashkёt”, deklaroi Trajkoviq.
Ajo thotë se prej se Vuçiq ka filluar të flasë për një kufi të ri mes Kosovës dhe Serbisë, 10 mijë serbë kanë braktisur Kosovën. Sipas saj Serbia në Kosovë i ka larguar institucionet e saj, por ato janë zëvendësuar me mafinë e paskrupullt serbe. “Më e tmerrshmja është se të gjithë kryetarët e komunave (serbe në Kosovë) i ka zgjedhur Milan Radoiçiqi”.
Radoiçiq konsiderohet si shefi i nëntokës në veri të Kosovës. Akuzohet edhe për përfshirje në vrasjen e politikanit të moderuar serb Oliver Ivanoviq para një viti. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se nuk e njeh Radoiçiqin, ndërsa më vonë e ka mbrojtur nga akuzat se mund të jetë pjesë e skemës për vrasjen e Ivanoviqit.
Rada Trajkoviq në këtë intervistë e përgënjeshtron Vuçiqin, i cili ka thënë se nuk e njeh Radoiçiqin. Sipas saj kur Vuçiq ka qenë për vizitë në Srebrenicë, Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq kanë qenë truproje të tij. Këta janë njerëzit të cilëve Vuçiq u beson më së shumti.
Trajkoviq kështu e përshkruan rolin e Radoiçiqit në politikën e Kosovës: “Kam pasur komunikim me liderët e shqiptarëve, të cilët më tregojnë se me rastin e punësimeve në institucione, nëse, ta zëmë, një pastruese sipas njëfarë strukture duhet të jetë serbe, këtë duhet ta nënshkruajë Radoiçiqi”. Sipas Trajkoviq grupi i Radoiçiq kontrollon si rrogat që vijnë nga Serbia për zyrtarët serbë, ashtu edhe rrogat që buxheti i Kosovës ia paguan nëpunësve serbë.
“Çdo padëgjueshmëri ndëshkohet me humbje të vendit të punës. Nëse problemi është më i madh, atëherë pason djegia e veturave, djegia e lokaleve, sulmet fizike… Dhe vrasjet. Kur ishte fushata elektorale, u vra një djalë. Që nga atëherë babai i armatosur i djaloshit përherë sillej aty diku rreth kafehanes ‘Grej’, ku rrinte edhe Radoiçiqi. Vetë Radoiçiqi i ka shumëfishuar truprojat përreth vetes, sepse frikësohej nga hakmarrja e atij babai. Të gjithë lart (në pushtet) e dinë kush vret. Këtë e bënë mafia, dhe çfarë më shqetëson më së shumti është se BIA (shërbimi sekret serb) bashkëpunon me mafinë”.
“Shefi i BIA-s për Kosovën, një Dimiq, të cilin e njoh si djalosh nga Prishtina, ka pasur brifingje të rregullta me Radoiçiqin dhe të tjerët. Kështu populli e kuptoi se këto janë struktura që i kanë vendosur Vuçiqi dhe Aleksandar Vulini, kur ka qenë shef i kancelarisë për Kosovën dhe Metohinë, dhe tash janë disi të ndërlidhura me sistemin e sigurisë të Serbisë”.
Rada Trajkoviq thotë se në mesin e komunitetit serb në Kosovë ekziston frika nga strukturat e sigurisë të Beogradit. Në veri, sipas saj, ekziston një kombinim i tmerrshëm i mafisë dhe policisë. “E di se kur është vrarë Oliver Ivanoviqi, serbët janë frikësuar të japin informacion për çfarë kanë ditur. Të gjithë kemi qenë të kënaqur dhe të lumtur kur zhvillimi i hetimeve ka kaluar në Prishtinë që ta udhëheqin shqiptarët”.
“Policët që tani janë arrestuar kanë qenë të arrestuar edhe pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Prokurori publik kërkoi paraburgim për ta, gjykatësja serbe në Mitrovicë i liroi. Jemi lavdëruar që kemi gjykatës serbë, se komandanti i policisë është serb, të gjithë i kemi komprometuar”.
Trajkoviq i quan propagandë të Beogradit ankesat se serbët në Kosovë nuk kanë artikuj ushqimorë dhe kujdesi mjekësor është i mangët për shkak të tarifave doganore që qeveria e Kosovës ka aplikuar kundër prodhimeve serbe. “Është gënjeshtër se na kërcënohet një katastrofë humanitare, sepse ne këtu i kemi të gjithë artikujt. Krejt është propagandë. Institucionet tona qëmoti furnizohen me oksigjen nga Prishtina. Ne marrim ndihmë financiare nga Beogradi dhe mund të blejmë oksigjen ku të duam”, thotë Trajkoviq për gazetёn beogradase “Vreme”.
Trajkoviq jep një shembull mbi frikën e serbëve nga strukturat serbe të sigurisë të pranishme në Kosovë. Ajo thotë se para votimit për pranimin e Kosovës në Interpol, në fshatrat serbe afër Prishtinës ishte vendosur njësia ROSU e policisë së Kosovës. “Iu afrova njërit prej njerëzve të rëndësishëm dhe e pyeta çfarë po ndodhte. Më tha: ‘Po ruajmë që shërbimi serb të mos infiltrojë njerëz për të vrarë ndonjë serb, shkatërruar ndonjë manastir apo kishë’. (…) Kjo është e rrezikshme për enklavat – nuk e dini kush do t’ia vë zjarrin shtëpisë suaj, nuk e dini kush ju plaçkit, jeni i pasigurt. Kjo është më e tmerrshmja që për shkak të ndonjë projekti nuk e dini se kush mund t’ju likuidojë. E dini sa kanë manipuluar për Oliver Ivanoviqin – e vrau ai, e vrau ky. Të gjithë e dimë se Oliver Ivanoviqi ka dashur ta ndajë mafinë nga politika. Dhe e pagoi me kokë”, ka thёnё Rada Trajkoviq mes tjerash nё kёtё Intervistё. /©Kabllogrami/