Në një përgjigje për media, Qeveria gjermane thotë se në asnjë moment nuk e vënë në pikëpyetje të drejtën sovrane të Shtetit të Kosovës për të pasur forcat e saj të armatosura, por konsiderojnë se tash për tash kjo nismë paraqet rrezik për ashpërsimin e tensioneve me Serbinë dhe rrezikon dialogun, transmeton Kabllogrami.
Qeveria e kancelares Angela Merkel mbështet të drejtën e Republikës së Kosovës për të pasur Ushtri, megjithatë thonë që për momentin, nisma për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës paraqet rrezik për ashpërsimin e tensioneve me Serbinë dhe vë në pikëpyetje të gjithë procesin për normalizimin e raporteve me Serbinë që po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Sipas qeverisё gjermane, transformimi i FSK-së në Ushtri mund të fuqizojë stabilitetin rajonal dhe të ofrojë siguri vetëm nëse bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe në koordinim të ngushtë me NATO-n.
Sipas tyre Kosova në këtë kohë duhet të ketë prioritete tjera, siç janë zhvillimi ekonomik dhe përmirësimi i sundimit të rendit dhe ligjit.
“Gjermania e njeh Kosovën si shtet sovran. Prandaj, ne nuk e vëmë në pikëpyetje të drejtën sovrane të Kosovës për të themeluar forcat të armatosura të rregullta…Gjëja më e rëndësishme është që procesi të kryhet në kohën e duhur. Tash për tash, kjo nismë paraqet rrezik për ashpërsimin e tensioneve me Serbinë dhe po e rrezikon dialogun për normalizim, që po udhëhiqet nga BE-ja. Për më tepër, ne besojmë se Kosova ka tjera prioritete në këtë fazë të zhvillimit. Autoritetet do të duhej që ta investojnë tërë energjinë e tyre në promovimin e reformave socio-ekonomike dhe ta fuqizojnë dukshëm sundimin e ligjit”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë së Gjermanisë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas mbledhjes së mbajtur me Ministrat e Jashtëm të NATO-së, me datë 4 dhe 5 dhjetor, ka thënë se nisma për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri po bëhet në një kohë jo të duhur, dhe sipas tij kjo nismë mund të ketë pasoja të rënda për rrugën euro-atlantike të Republikës së Kosovës, dhe si duket qёndrim tё pёrafёrt me tё ka edhe qeveria gjermane, derisa SHBA-tё konsiderojnё se Kosova tani duhet tё ketё Ushtrinё e saj, transmeton Kabllogrami. /©Kabllogrami/