Protestat në Tiranë nuk ndalen, Rama ofron ‘Paktin për Universitetin’

Në Tiranë u zhvillua sot dita e pesëmbëdhjetë e protestave të studentëve të universiteteve publike të cilët po bojkotojnë mësimin në të gjitha fakultetet e vendit, me kërkesa për përmirësimin e kushteve të studimit, infrastrukturore dhe akademike, si dhe lirimin e kostos së studimeve, bën të ditur Kabllogrami.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në kuadër të përpjekjeve të tij për të hapur dialog me studentët, ka filluar të takohet me një pjesë të tyre dhe të pedagogëve nëpër hapësirat e universiteteve nëpër Shqipëri.

Ai, po ashtu, përmes platformës online “Shqipëria që duam”, platformë kjo zyrtare e Qeverisë së Shqipërisë, ka bërë të ditur se ka angazhuar disa grupe pune, “të cilat po punojnë për dokumentin e një Pakti për Universitetin”.

“Përtej përgjigjes konkrete për 8 pikat e dala nga protesta studentore, Pakti për Universitetin, do të jetë një dokument angazhimesh për të adresuar probleme të përgjithshme për Universitetin, si edhe probleme specifike për çdo universitet – bazuar në informacionet, opinionet, idetë e sugjerimet e mbledhura gjatë procesit të saponisur të Dialogut ”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë në këtë faqe.

Kryeministri Rama zhvilloi mesditën e së mërkurës një takim me studentët e Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë. Ai u atje u prit me protesta të dhjetëra studentëve që po qëndronin jashtë ndërtesës së fakultetit, dhe u prit me parolla “nuk ka dialog”, “jo politikë” dhe “turp”.

Studentët i kanë 8 kërkesa për të lehtësuar studimet e tyre, që kanë të bëjnë me ulje të tarifave, përmirësim të cilësisë së arsimit dhe të kushteve të konvikteve ku ata jetojnë, pajisjen me kartën e studentit për lehtësira ekonomike dhe përfaqësimin e tyre në borde drejtuese e vendimmarrëse të universiteteve.

Ata edhe sot, edhe përkundër përpjekjeve të vazhdueshme të qeverisë për të dialoguar, refuzuan me këmbëngulje një gjë të tillë dhe thonë se këto kushte nuk janë për bisedime por vetëm plotësim të tyre, se protestat e tyre nuk kanë përfaqësi dhe se askush nuk mund të flasë në emër të protestës. /©Kabllogrami/

 

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë