Prodhuesit vendorë automatizojnë fabrikat nga frika e largimit të punëtorëve në Perëndim
Liberalizimi i vizave për shumë kë po shihet si një mundësi. Në të vërtetë, përveç qytetarëve, si mundësi po shihet edhe nga pronarë biznesesh, për lëvizje të lirë të tyre në gjetjen e partnerëve në Bashkimin Evropian.
Por, ekziston edhe frika, posaçërisht nga përvoja e valës së ikjes masive para pak vitesh, kur disa biznese mbeten pa punëtorë dhe rrezikuan funksionimin.
Një fabrikë e re në Milloshevë, në hapësirë prej 12 mijë metrash katrorë, është ndërtuar për të qenë në masë të madhe automatike. Menaxheri i kompanisë, Bekim Krasniqi, për Radio Kosovën ka deklaruar se ka frikë që pas procesit të liberalizimit të vizave, atij mund t’i largohet fuqia punëtore e kualifikuar:
“Ne jemi duket lëshuar fabrikën e re 12 mijë m2, e kemi teknologjinë e fundit edhe për dyer e dritare të plastikës, por edhe për kuzhina e dhoma. 90% është në mënyrë automatike. Fuqia punëtore normal që duhet të përdoret, por kemi vendosur të jetë sa më automatike, për shkak se ku e di, nesër, pasnesër, hiqen vizat edhe ikin jashtë”, ka thёnë ai pёr Radio Kosovёn, pёrcjell koha.net.
Në fakt, sektori i përpunimit të drurit, përkatësisht i prodhimit të mobileve, po rritet në Kosovë, ku shumë prodhues po arrijnë me sukses të eksportojnë. Edhe fabrika në fjalë është ndërtuar me synim eksportin, thotë Krasniqi.
“Eksportojmë kuzhina, dhoma gjumi etj. Numër një e kemi Zvicrën, mirëpo kemi edhe në Gjermani, Norvegji, Suedi ku eksportojmë. Para një muaji kemi dërguar një kontejner me dyer e dritare të plastikës në Nigeri. Tash fabrikën e re që e kemi në Milloshevë, atë e kemi 80% për eksport të jashtëm. Dyer e dritare të plastikës, edhe mobile në përgjithësi, si garnitura, dhoma, komodë, tavolina, e të ndryshme”, tha ai.
Se sektori i mobileve është në rritje, e thotë edhe kryetari i Bordit të Shoqatës së Përpunuesve të drurit, Hashim Deshishku. Sipas tij, deri në nëntor të vitit 2018 ka pasur 28 milionë euro eksport, përderisa gjatë tërë vitit 2017 eksporti ka qenë në vlerë prej 25 milionë eurosh. Eksportin po e mundëson çmimi dhe kualiteti, thotë Deshishku.
“Është fuqia punëtore e lirë, si pikë të parë, jemi të liruar nga dogana për lëndën e parë, jemi të stimuluar nga shteti për TVSH për eksport, i kemi disa lehtësira për eksport. Por kryesisht është fuqia punëtore e lirë, dhe kualiteti i cili çdo ditë është duke u rritur nga prodhuesit tanë edhe po i përngjan kualitetit me prodhimet e perëndimit”, tha Deshishku.
Ndryshe, shumica e lëndës së parë për prodhim të mobileve importohet pa doganë. Në Kosovë, si lëndë të parë ka vetëm dru të ahut. /©Kabllogrami/