Vazhdojnë protestat masive rrugëve të Beogradit kundër, siç thuhet, sundimit autokratik të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Protesta e së shtunës pasoi tubimin e partisë së presidentit Vuçiq të enjten gjatë vizitës së presidentit rus Vladimir Putin në Beograd. Kritikët e presidentit Vuçiq thonë se ai e organizoi tubimin në një përpjekje për të dëshmuar se ka më shumë mbështetës sesa kundërshtarët e tij në Serbi.
Duke brohoritur, “Vuçiq ik” turma parakaloi para selisë së televizionit publik, i cili ka injoruar në masë të madhe protestat disa javëshe, raporton VoA.
Kritikët e akuzojnë presidentin Vuçiq për vendosje të autokracisë nëpërmjet kontrollimit të rreptë të medies dhe nxitjes së gjuhës së urrejtjes ndaj kundërshtarëve. Ai i ka hedhur poshtë këto akuza. Protestuesit kërkuan liri të medies si parakusht për zgjedhje të lira e të drejta.
Protestat me sloganin “Një nga pesë milionë”, filluan shtatë javë më parë me moton “stop këmishëve të përgjakura”, kur ndodhi një sulm mbi Borislav Stefanoviqin, udhëheqës i partisë së vogël opozitare ‘E Majta serbe’.
Në muajin dhjetor, presidenti serb tha se nuk do të përmbushë kërkesat e opozitës edhe nëse “dalin 5 milionë në rrugë”, por më pas ai tha se është i gatshëm të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Partitë opozitare thanë se do të bojkotonin zgjedhjet e tilla.
Mbështetja për presidentin Vuçiq ka shënuar një rënie të vogël pas fitores së tij të thellë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, ndonëse koalicioni i tij në pushtet ka një shumicë të qëndrueshme prej 160 deputetësh në parlamentin me 250 vende.
Protestat janë zgjeruar edhe në qytete të tjera të mëdha të Serbisë.VoA/©Kabllogrami/