Delegacioni shtetëror për dialog nuk ka arritur ta shtrijë ndikimin e vet as brenda Kosovës. Dokumentet të cilat potencialisht mund t’i ketë diskutuar deri më tani presidenti Hashim Thaçi, që kishte marrë primatin në negociata para dy vjetësh, nuk janë vënë ende në dispozicion të Ekipit.
Ndërkohë që Delegacioni shtetëror zhvilloi takimin e parë konsultues në Bruksel, u raportua se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tashmë është duke përgatitur ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes mes Thaçit e Vuçiqit, shkruan Koha Ditore.
Këtij zhvillimi i parapriu një takim i paraportuar mes presidentit Thaçi dhe ambasadorit amerikan në Berlin, Richard Grenell, njëri nga më të besuarit e Trumpit. Presidenca nuk ka zbuluar detajet e atij takimi, ndërkaq Delegacioni shtetëror sikurse dhe Qeveria janë shfaqur të painformuar.
Njohës të rrethanave mendojnë se implikimi i SHBA-së dhe i Rusisë në arritjen e marrëveshjes finale është evidente për shkak të shterpësisë së Bashkimit Evropian në avansimin e procesit drejt marrëveshjes, si dhe procesit të ndërlikuar të dialogut. Shpresojmë që në kuadër të marrëveshjes finale mos të na imponohet copëtim i mëtejmë i territorit të Kosovës, sepse në rrethana të tilla, ujdia e tillë, veç marrëveshje nuk mund të quhet dhe do të ishte me pasoja fatale për rajonin e Ballkanit. /©Kabllogrami/