Pa konsensus: Roli i presidentit nё dialog “mollё sherri”
Në prag të dështimit gjendet edhe përpjekja e radhës për arritjen e konsensusit mes partive në pushtet dhe një pjese të opozitës rreth dialogut me Serbinë, bёn tё ditur Kabllogrami.
Kjo çështje tani ka mbetur nën hijen e votimit të pakos së ligjeve për transformimin e FSK-së në ushtri, që është paralajmëruar të ndodhë më 14 dhjetor.
Mungesa e një përgjigjeje nga ana e PDK-së, që ka shprehur skepticizëm për momentin, e ka nxjerrë nga agjenda votimin e dy dokumenteve të propozuara nga opozita, shkruan sot Koha Ditore.
PSD-ja bashkë me Alternativën në opozitë, por edhe me mbështetjen e Nismës Socialdemokrate të Limajt, i kanë përcjellë në Kuvend ndryshimet në projekt rezolutën e sponsorizuar. Me kёtё projekt rezolutё tё opozitёs synohet tё definohet roli i presidentit tё Republikёs nё dialog, nё kuptim tё tkurrjes sё rolit dhe ndikimit tё tij nё dialog, pёr ç’gjё s’po pajtohet PDK-ja.
Por këto dokumente nuk janë futur akoma nё procedurë, për shkak të mosarritjes së konsensusit brenda partnerëve. Dhe kjo nuk pritet të bëhet pa mbaruar punë me Ushtrinë. PDK po heziton ta pёrkrahё kёtё projekt rezolutё pёr shkak tё dobёsimit tё rolit tё presidentit Thaçi nё dialog me Serbinё. /©Kabllogrami/