Një Tetori i Bardhë*

Nga Mentor Bogaj

Shkruan: Mentor Bogaj

01/10/2019. Sot më Një Tetor, bëhen plot 22 vite nga protesta historike e Një Tetorit ‘97 e studentëve të Universitetit të Prishtinës.

Një Tetori ’97 u dëgjua të quhet edhe si ‘thyerje e epokave*’. Mbase, epitet me vend për ditën që nisi e hapi rrugë për liri dhe pavarësi.

 

Hyrje: Kohë e zezë 1991 – ’97 

Më kujtohet* si një sekuencë ndër shumë të tilla, që vetëm dy policë serb ushtronin autoritet të vrazhdë në tregun e gjelbërt në Prishtinë kundrejt ndoshta disa mijëra shqiptarëve të mjerë që rrinin si të ngrirë me dinjitet keqas të nëpërkëmbur. Njejtë ishte kudo në Kosovë. Dhe këta dy policë rrahnin kënd donin, plaҫkitnin paratë e mallin e atij populli të ndodhur aty me pretekste të krijuara aty për aty. E ky popull rrinte i strukur, pa dinjitet e me një servilizëm që shkonte deri në ‘dhimbje të barkut’ ndaj policëve të okupatorit, vetëm për të shpëtuar më lehtë.

Kjo ishte gjendja në Kosovën e atyre viteve ‘91-’97, kur i ishim adaptuar dhunës deri në kockë dhe i lejonim okupatorit të na nënshtronte deri në poshtërimin më të ulët njerëzor e kombëtar, e ndërsa na thuhej se me këtë po bënim ‘rezistencë paqësore’.

Në këtë gjendje paria e sapozgjedhur studentore nuk e kishte aspak të lehtë të lëvizte gurët nga vendi. Në anketat që nisëm t’i bënim në sensin e matjes së pulsit të opinionit, barometri nuk tregonte rezultate shprese. I ishim përshtatur dhunës e okupimit në formë ku s’ka më poshtëruese. Në këtë frymë, më kujtohen bisedat që bënim me rini e studentë ku të gjithë pajtoheshim në një: se kjo gjendje ishte tejet e rendë që vështirë të durohet.

Tubimet me studentë në përgaditje të protestave ‘97: Në panel Albin Kurti, Driton Lajҫi dhe Mentor Bogaj (autori i shkrimit) në një nga sallat e improvizuara të studimeve në Velani

E kur u thonim se prandaj duhet ndërmarrë diҫka, të organizojmë protesta e të ngritemi për të drejtat tona, e atëherë ndryshonte muhabeti: – përgjegja më e shpeshtë që merrnim ishte e tipit: Jo jo, se ne jemi me LDK-në, Rugovën e të ngjashme. Pra, sa e mjerë kjo gjendje kur ‘përgjumja kolektive’ dhe nocioni i ‘frikës shashtrisëse’ për të lëvizur apo për të bërë diçka, me automatizëm konvertohej në ‘rugovizëm’, pra, përkthehej me refrenin tashmë bajat të asaj kohe: ‘jo jo se ne jemi me Rugovën, e po bëjmë rezistencë paqësore’. Situatë absurde kjo që komprometonte vet filozofinë e Rugovës.

Si konluzë e asaj situate, nëse mund të përceptohet nga perspektiva e sotme, duhet rikujtuar se, nuk ishte fare e lehtë të ndryshohej ajo gjendje e ajo mendësi kur topitja e thellë e trurit e mbështjellur me frikë lemeritëse ndaj okupatorit, na bënte dyshues në vetvete dhe të pafuqishëm se mund të bëjmë diҫ. Pra, lufta speciale e hasmit në rendiment të plotë. Ndërsa diçka patjetër duhej të ndërmirrej sepse kupa kaherë ishte mbushur dhe po rrjedhte pandalë, sidomos prej Dejtonit.

Nisja e lëvizjes së gjërave nga vendi
Nisi kështu ngadalë por sigurt të marrë jetë ideja për domosdoshmërinë e lëvizjes së gjërave nga vendi. Filluan debatet e gjera dhe intenzive së pari ndërstudentore e ndëruniversitare për modulet dhe përgaditjen e një strategjie të duhur të veprimit për të dalur nga kjo gjendje e nderë.

Vërejtje: Në shtyp është përvjedhur gabim emri i aktivistes së shquar të lëvizjes studentore Vjollca Musliu, në fakt është një aktiviste tjetër po aq e shquar dhe po nga Fakulteti Juridik, Thëllënza Arifi

Si rrjedhojë, pas një pune të zellshme përgaditet plan-projekti që do të përfshinte katër faza.

Faza e parë kishte të bënte me takimet dhe bisedat që bëmë me të gjitha subjektet politike dhe jopolitike të Republikës së Kosovës. Ishim të hapur të dëgjonim pa dallim të gjitha subjektet që tregon për një transparencë dhe frymë tejet demokratike të lëvizjes studentore. Aty ishin edhe kontaktet me subjekte që asokohe vepronin ilegalisht (LPK, LKÇK etj). Idetë e mira që mund të dëgjonim prej tyre i adaptonim pa problem nëse kishin vend për zbatim, që kryesisht kishin të bënin me aspekte logjistike apo tekniko-organizative, por shumicën dërmuese të ideve të tyre na duhej t’i hudhnim poshtë si ide të vjetëruara, pa imagjinatë dhe pa sens për arritjen e efekteve të dëshiruara. Në raste edhe ide përqarëse të kamufluara. Për ide e deri në materializimin e tyre, kujdeseshin vet studentët me kreativitetin dhe imagjinatën e tyre. Edhe ashtu subjektet që takonim, që të gjitha kishin kohë të gjatë që vepronin por pa rezultate të ndjeshme apo pa rezultate fare. Andaj më e mira ishte ta dëgjonim veten.

Do t’i lejoj vetes që të dal pak nga modestia, e të them që me veturën time personale janë vizituar të gjitha subjektet politike e jopolitike që nga presidenti Rugova, ndërkombëtarët e deri te krerët fetar. Në delegacion ishim: Bujar Dugolli, Albin Kurti, Mentor Bogaj (autori i shkrimit) dhe një gazetar i ‘Bota e Re’ që përcillte aktivitetet tona, e që në shumicën e rasteve ishte Jeton Rexha. Vetura në fjalë për një kohë të gjatë ka qenë mjeti logjistik më i dobishëm që ka përdorur lëvizja.

Duhet thenë se subjektet politike e jopolitike të kohës, shumë prej tyre të ndara n’krahë e n’degë, mburreshin me takimet që kishin me liderët e lëvizjes studentore, duke dalë menjëherë me komunikata në media. Mbase për ta plotësuar një boshllëk pasiviteti disavjeçar, në veprimtarinë e tyre.
Kështu ata i bënin vetes reklamë që takoheshin me ne, në përkrahje tonën duke dalë në media, e neve na konvenonte sepse ndikonte në sensibilizimin e opinionit. Ndërsa, ne i takonim që të gjitha subjektet të vogla e të mëdha pa përjashtim dhe pa dallim programi e ideologjie, për të promovuar dhe thirrur kështu, në logjikën e ‘unitetit’ aq të nevojshëm në atë kohë.

Albin Kurti, Mentor Bogaj dhe Muhamet Mavraj në zyrën e autorit të këtij shkrimi në lagjen Velania gjatë përgaditjes së protestave studentore

Faza e dytë: Marrja e korzos me shetitje të qeta në mbrëmje si formë e protestave të heshtura, e kishte simbolikën e vet dhe ishte imperativ i kohës. Ishte akt me shumë rendësi për ta thyer frikën në popull. Okupatori na kishte marrë qendrën e qytetit duke na shtyrë në periferi dhe ne e kishim pranuar këtë pa bë zë. Ndërsa, kthimi i fuqishëm në Korzo i jepte mesazh edhe okupatorit se kush është këtu zot shtëpie.
Faza e tretë kishte të bënte me formimin e këshillave organizative (KO) nëpër Fakultete të UP-së, të cilët duhej të formonin nga pesë nënkëshilla (për mbajtje të rendit; për vëzhgim; për ndihmë të parë mjekësore; për informim; dhe nënkëshilli teknik – që ishin përgjegjësit për parrolla).
Faza e katërt ndërkaq,  kishte të bënte me daljen në protesta deri në realizimin e kërkesave.

Rektori dhe ata që nuk i la të gabojnë
Lëvizja studentore ishte krijuar, projektuar dhe përgaditur për veprim nga vet studentët e Universitetit të Prishtinës, ndërkohë e mbështetur fuqishëm nga rektori Ejup Statovci.
Si në çdo lëvizje dhe organizim të përmasave të mëdha ka momente të pritura por edhe të papritura që shkaktojnë huti e konfuzion në masë e ndër liderë, e të cilat të imponojnë marrjen e vendimeve të shpejta e me peshë. Në raste të tilla nevojiten njerëz e liderë me atribute të larta morale, të matur (për të mos bërë pazare të çastit) e të vendosur (për t’i ikur lëshimeve e kompromiseve rrënuese), gjakftohtë në gjykim, e të drejtë në marrjen e vendimeve. I tillë ishte në plotkuptimin e fjalës rektori i dashur, tashmë i ndjerë, prof.dr. Ejup Statovci*.
Unë në këtë punim për shkak të hapësirës editoriale do ta veçoja vetëm një moment ku spikat madhështia e rektorit.
-Kishin ardhur shumë autobusë me policë nga Serbia në prag të një tetorit ‘97. Mediat serbe thonin se janë 50 autobusë me policë (që i bie diku 2.500 policë shtesë). Mediat më prestigjioze ndërkombëtare tashmë kishin ardhur në Kosovë për ta mbuluar ngjarjen, e siç rrodhën ngjarjet prej një tetorit, do të qëndronin gjatë. Edhe ambasadorët e vendeve të BE-së ishin këtu në takime intensive ku kërkonin nga ne dhe na bëhej presion enorm që datën e nisjes së protestave ta shtynim për një ditë tjetër. Këtë presion diplomatët e huaj ua bënin edhe subjekteve politike kosovare në pozitë dhe opozitë që të ndikonin te ne për shtyerjen e datës së fillimit të protestave. Madje të huajt na thonin se krejt kjo trysni bëhej për të mirën tonë se kanë indikacione se Serbia do të reagojë vrazhdë e pa mëshirë ku do të mund bëhej gjakderdhje e madhe etj. Dikush tjetër thoshte se Serbia e ka pritur këtë ditë si shkas për të bërë spastrim etnik, se do të na shfaros dhe se do të ndodh gjëma e katastrofa për shqiptarët e Kosovës.

Si rrjedhojë, vjen një goditje nën brez, një ditë para protestave më 30 shtator ’97, kur dolën deklaratat e LDK-së, disa dekanëve të fakulteteve dhe disa udhëheqësve të unioneve në disa fakultete nën influencën e LDK-së, me kërkesa që të shtyhen prorestat. U krijua huti në opinion e ndër studentë dhe vihej në sprovë tërë ai mund disa mujor i përgaditjeve të bëra. E siç do të dëshmohet më vonë, nuk ishin përgaditje do si do. Atëherë, rektori reagon duke thirrur mbledhjen e zgjeruar të senatit. Arsyetimi për shtyerje i grupit pro LDK, ishte se nuk do të ketë prezencë të mjaftueshme të studentëve në protestë, se  nuk është koha e duhur, s’ka përgaditje të duhura etj, por liderët e lëvizjes studentore dëshmuan të kundërtën se organizimet janë bërë në çdo aspekt, se studentë do të ketë madje shumë në bazë të distinkteve të shpërndara, atëherë rektori përfundon mbledhjen duke konkuduar: “Unë si rektor jam përgjegjës për studentët e mi dhe pasi ata kanë vendos, unë do të jem me ta dhe nëse më pranojnë do t’u prijë. Kush don mund të na bashkangjitet, dhe me kaq mbledhja u kry”*.

Në këtë grackë, për befasinë tonë, ra edhe Adem Demaçi në atë kohë kryetar i Partisë Parlamentare të Kosovës, si partia opozitare më e madhe në Kosovë, i cili deri atë ditë na përkrahte bile verbalisht, por si LDK-ja edhe ai kërkoi që të shtyhen protestat për disa ditë, mbase nga droja se do t’i vishej përgjegjësia pas ndonjë epilogu të mundshëm tragjik. U ndjemë të zhgënjyer për këtë ndërrim të fjalëve të minutave të fundit, aq më tepër se këtë nuk e prisnim nga baca Adem, pikërisht në ato momente kyqe.
Ne ishim të vendosur që protestat t’i fillojmë me një Tetor me simbolikën e fillimit të vitit të ri akademik. Njëherit, pas një pune intenzive disamujore ishim përgaditur shumë mirë si në aspektin logjistik – organizativ, ashtu edhe në atë mendor – shpirtëror për t’u përballur me situatën dhe nisjen e protestave në këtë ditë.

Të nesërmen me një tetor, studentët të veshur bardhë me rektorin në ballë përjetuan kënaqësinë dhe ndjenë krenarinë me masivitetin e lartë dhe madhështinë e organizimit shembullor të protestave, ku u tregua nivel i lartë i disiplinës, rendit dhe vendosmërisë së pathyeshme për të realizuar objektivat e parashtruara. Për fat të mirë nuk munguan as ata që një ditë më parë ishin kundër, të cilët rektori nuk i la të gabojnë. Pikërisht, këtu konsiston madhështia e protestës ngase morën pjesë thuaja gjithë studentët me profesorë dhe stafin e administrates së universitetit, e në trotuaret e rrugëve kanë dal populli, i madh e i vogël në përkrahje të protestës.

Doli të jetë protestë aq madhështore sa që si rrufe mori dhenë, e cila tronditi në themel të gjithë si brenda ashtu dhe jashtë. Falë organizimit brilant, arriti efekte të përmasave marramendëse qysh në protesten e parë, sidomos në sferën ndërkombëtare dhe njëherit, nisi zbërthimin e fatit të Kosovës së okupuar. Për herë të parë në historinë e saj, Kosova bëhet top lajm i të gjitha mas-mediumeve botërore pa përjashtim.

Përballë civilizimi me barbarizmin, krenaria me mjerimin e pushtuesve kolonialistë

Në vend të përfundimit
Sa herë të përmendet Lufta e UÇK-së do të ishte historikisht jo e drejtë dhe shkencërisht jo serioze e jokorrekte të mos përmendej krahas saj edhe lëvizja studentore e ’97-ës – që nisi rrugën e pakthyeshme të çlirimit, sepse po të bëjmë një studim analitik serioz del se, pa shpërthimin e lëvizjes studentore në kohën, mënyrën dhe rrethanat historike në të cilat u shfaq, me një organizim madhështor, me sakrificë aq sublime, e me efekte kolosale, duke kthyer fuqishëm vëmendjen ndërkombëtare në Kosovë, e duke thyer frikën dhe kthyer dinjitetin popullit të katandosur, atëherë mbase kurrë s’do të kishte as UÇK në formën dhe peshën historike të shfaqur. Pra, thënë figurativisht, lëvizja studentore ia “ҫeli dyert UÇK-së”, e dihet mirëfilli se pa t’i ҫel dyert “s’mund të hysh brenda”. Për më tepër, kur nisi lufta e armatosur, e gjithë energjia e lëvizjes studentore u koncentrua në ndihmë dhe përkrahje të UÇK-së dhe vet bërthamën e UÇK-së e përbënin studentët që përditë shtonin radhët e saj, për ç’gjë ne mbanim kontakte të rregullta me shtabet në front, shkonim personalisht në fronte e shtabe kudo në Kosovë, e organizonim edhe kurse intenzive të ndihmës së parë mjekësore etj, si një trajnim paraprak për studentët para shkuarjes në front.

Një mik i imi e koleg fakulteti i cili me kërkesën time pat ardhur pa hezitim nga Podujeva për ndihmë në përgaditjen rreth protestave duke qenë i angazhuar në aspekte organizative të ndjeshme, më vonë i njejti i angazhuar si komandant në zonën e Llapit, bëhet fjalë për Rrustem Mustafën – Remi, në një rast pas luftës duke i evokuar kujtimet e lëvizjes studentore më pat thenë: “Shikuar nga kjo perspektivë, më e lehtë ka qenë të bëhet lufta se protestat e studentëve. Në luftë të paktën ke pas një armë dhe në rast rreziku ke mund të tërhiqesh diku thellë në mal. Kurse në protesta kemi dalur duarthatë vetëm me zemër dhe ballëhapur drejt tankseve dhe gjithë atyre forcave të okupatorit si të shkohej drejt vdekjes …”.
Gjersa, duhet risjellë në mendje se nuk mungonte as propaganda defitiste brenda e jashtë e tipit: “mos dilni se do të bëhet gjakderdje e madhe; se do të na vrasin e do të na masakrojnë të gjithëve; se nuk e njihni ju serbinë e serbia këtë shkas e pret ta bëjë shfarosjen e popullit; e ju studentët e quar peshë po ia jepni serbisë këtë shkas; etj etj”.

Në këtë situatë e në tërë këtë presion, ta ruash qetësinë në mënyrë aq dinjitoze, e të jesh i palëkundur dhe sypatrembur, duke dalë përballë kordoneve të armatasura serbe, pra, të ecësh si në “teh të shpatës” siç thotë populli, këtë kanë ditur ta bëjnë vetëm rinia studentore e ’97-ës – lajmëtarët e lirisë – me bindjen se: “nuk duhet pasur frikë se jeta merr fund, por se duhet frikësuar kur ajo nuk ka fillim”.
Studenti i ’97-ës rrihej, rrëzohej e binte përdhe, por gëzimin e harenë e kthimit të krenarisë dhe e të qenit njeri me dinjitet, s’ka rrëzim që e mposht – veprimi ynë ishte vet liria jonë*.

Studentët e ’97-ës, më 1 tetor e morën të ardhmen për të mos ngelur kurrë më në robëri; e morën të ardhmen për të fituar liri e pavarësi – që shumë shpejt pa kaluar dy vite u bë realitet.

 

Do të doja shumë t’i përmend një nga një të gjithë kontribuesit e shquar të lëvizjes studentore, por për shkak të natytës editoriale të këtij buletini, kjo më bëhet e pamundur. Kontributi i tyre mbetet i madh dhe sakrifica e tyre e pa shoqe. E di që në këtë mes ka të atillë që kontribuan më shumë se vet paria studentore por për shkak të modestisë së tyre nuk u bëhet vonë nëse nuk u përmendet emri. Bile në momente thyese treguan kurajo e guxim të pashoq, derisa ca “me nam të sotëm” s’dukeshim asgjëkundi. Këtu pra, qëndron ana e lartë morale e modestisë te një numër i madh i protagonistëve, që puna u krye me sukses, e secili vazhdon jetën e punën pa pasur nevojë t’u thurrin lavde. Njerëzit e tillë zakonisht dhe fatkeqësisht koha i shtyn në margjina por personalisht te unë gëzojnë respektin e konsideratën më të lartë, ngase ishin aty ku duhej dhe kur duhej duke nderuar veten, atdheun dhe duke bërë histori për të ardhmen*.

Ndërsa, sot po kalojnë 22 vjet të plota dhe mbase modestia e tepruar e protagonistëve të lëvizjes studentore të ’97-ës, ka bërë që ngadalë të zbehet disi madhështia dhe efektet kolosale të lëvizjes studentore. Kësaj zbehjeje i kanë kontribuar edhe vet liderët që atëbotë të bashkuar me vendosmëri, sot të shpërndarë nga dallgët e jetës, veprojnë ndaras në disa parti e agjenda të ndryshme veprimi. E deri sot, kjo lëvizje, që është për të ardhur keq, ta lë përshtypjen se përkujtohet shkel e shko dhe atë vetëm me një Tetor.
Prandaj nga e tërë kjo që u tha, për shkak të sakrificës sublime e kontributeve kolosale të lëvizjes studentore në proceset që quan në çlirimin dhe pavarësimin e vendit, nuk do të ishte e tepërt të themi se, nga shoqëria dhe shteti ynë nuk duhet të mungojë përkujdesja institucionale për lëvizjen studentore të ’97-ës, si një vlerë historike e dëshmuar me të arritura të ndjeshme që si rezultat final quan në lirinë, pavarësinë dhe bërjen e shtetit të Kosovës.

Tubimet me studentë gjatë zhvillimit të protestave të vitit ‘97: Në panel Albin Kurti, Driton Lajҫi dhe Mentor Bogaj (autori i shkrimit) në një nga sallat e improvizuara të studimeve në Velani

Krejt për fund, nëse studentët dje ishin shtylla kryesore e përpjekjeve për lirinë dhe pavarësinë, sot ata duhet të jenë shtylla kryesore për ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit. Për më tepër, ata duhet të jenë kritikët më të zëshëm të çdo devijimi që shfaqet në horizont. Sa herë që të vërejnë devijime dhe stagnime të politikave zhvillimore dhe regres në rritjen e mirëqenies së qytetarërëve, ata pa hezitim dhe me tërë elanin e vrullin e natyrëshëm që e karakterizon shpirtin e paprishur të rinisë, duhet të sfidojnë madje edhe vet politikën e edhe vet sistemet. Kur kanë ditur studentët t’i kundërvihen pushtuesve me arsenal shumë të madh, duhet të dinë t’i kundërvihen edhe matrapazëve e injorantëve që për interesa meskine prishin imazhin e vendit, kultivojnë korrupsionin e krimin e organizuar dhe rrënojnë përspektivat e qytetarëve për një jetë të dinjitetshme në shtetin, për krijimin e të cilit u sakrifikua aq shumë, derisa politikat e papërgjegjshme rrezikojnë ta kthejnë vendin, në shtet jo funksional e të dështuar, tamam siq po duan armiqtë tanë. Duhet shikuar më mirë e me vështrim më kritik edhe kah “miqtë ndërkombëtarë”, për t’a përfunduar këtë shkrim me një thënie të Volterit pikërisht për miqtë: “Zot më shpëto nga miqtë se nga armiqtë mbrohem vet”.

Autori ishte një nga liderët kryesorë të protestave studentore të ’97-‘ës e tutje – që nga celulat e para të organizimit. Në atë kohë ishte kryetar i Unionit të Pavarur të Studentëve të Fakultetit Juridik;  kryetar i Këshillit Organizativ të Protestave për Fakultetin Juridik, anëtar i Këshillit të gjerë Organizativ të Protestave në nivel të Universitetit dhe Senator në Senatin e Universitetit të Prishtinës; Kryetar i Komisionit për Informim dhe Botim të Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës; Anëtar i Këshillit Botues të “Bota e re”; Botues i revistës ‘Studenti’etj.
——————————————
*1Ky punim synon të hedh dritë mbi impaktin që patën protestat studentore, në veçanti Një Tetori i vitit 1997 si ditë e nisjes së këtyre protestave, në ndërrimin e mentalitetit të pritjes në Kosovën e okupuar dhe hapjen e rrugës për zhvillimet dramatike, që si rezultat final çuan në çlirimin e Kosovës. Në këtë punim kam bërë përpjekje që si protagonist i atyre ngjarjeve që nga celulat e para të organizimit, të paraqes në vetën e parë, në mënyrë sa më autentike zhvillimet rreth protestave studentore të vitit 1997 që hapën një epokë të re të zhvillimeve në Kosovën e okupuar.
*2 Në analiza të shkruara dhe emisione televizive e dokumentarë, kushtuar protestave studentore të studentëve të Universitetit të Prishtinës, Një Tetori 1997 si datë e nisjes së këtyre protestave është cilësuar si ‘thyerje e epokave historike për Kosovën’ nga studiues e analistë vendorë e të jashtëm, në rrugën e gjatë të Kosovës drejt lirisë dhe çlirimit nga okupatori serb.
*3 Hyrjen e këtij punimi e kam titulluar si të tillë për të përshkruar një gjendje emocionale (shpirtërore e mendore) të një të riu në vetën e parë në ato kohë të rënda kur okupimi i vrazhdë dhe pasiviteti ynë si komunitet na kishte shëndrruar në ‘kufoma që ecin’. Gjatë kësaj periudhe 1991 – ’97 ishin shpërngulur nga Kosova diku rreth 400.000 deri në 500.000 shqiptarë autokton (1/4 e popullatës), kryesisht të rinjë si pasojë e paperspektivës, represionit dhe pasigurisë së lartë për jetën, në atë që njihet si ‘pastrim i heshtur etnik’ i popullatës shqiptare të Kosovës nga dhuna e okupatorit serb.
*4 Më duhet të potencoj në këtë fusnotë se, ka pasur momente thyese jo të pakta të cilat rektori Ejup Statovci me urtësinë e tij ka ditur t’i menjanojë me elokuencë dhe vendosmëri të lartë, duke mos lejuar ndryshimin e kursit. Ndonëse, në moshë të shtyrë e me shëndet të lig si një pedagog i shquar, pati aftësinë për të na motivuar e për të na mbushur me energji pozitive; për të na pajisur me vetbesim të paluhatuar e për të gjykuar drejt; për të na përgaditur për të mos bërë gabime kur assesi nuk lejohen gabimet; dhe nga e gjithë kjo, përkundër situatave tepër delikate – për të qenë në gjendje me i nxjerr efektet dhe rezultatin maksimal. Andaj, duke gjykuar drejt, nga kjo perspektivë pas dy dekadave, dua të them që krahas lëvizjes studentore, strumbullar i sukseseve të protestave studentore ishte rektori i Universitetit të Prishtinës prof. dr. Ejup Statovci, vulën e të cilit e mban edhe mbijetesa e denjë e Universitetit ‘në atë kohë të kolerës’.
*5 Në këtë pjesë janë përdorur edhe fragmente nga intervistat dhe prononcimet e prorektorit të UP-së në atë kohë, prof.dr. Ahmet Geca, (një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Rektorit Statovci) dhënë mediave të shkruara dhe elektronike të vendit, pas çlirimit. Duhet potencuar që prorektori Geca ishte një punëtor i palodhur që dha kontribut të shquar në mbarëvajtjen e punës së Universitetit nën kushtet e okupimit si dhe një nga përkrahësit e dalluar të lëvizjes studentore që me punën e kontributin e tij i dha ndihmesë për t’u respektuar edhe mbarëvajtjes së protestave studentore.
*6 Këto fjalë te kjo fjali mbi këtë fusnotë (të gjetura aq bukur e të thëna me një elokuencë të hollë artistike) që janë përdorur në këtë punim për të përshkruar gjendjen e vërtetë shpirtërore e mendore të studentëve, janë thënë nga Albin Kurti në një nga shkrimet e tij për protestat studentore. Andaj për shkak të fuqisë shprehëse dhe elokuencës janë përdorur në këtë punim ashtu siç i ka thënë ai.
*7 Gjate ketij punimi janë përdorur edhe pjesë nga shkrime e prononcime të mëhershme të autorit të këtij punimi të botuara në ‘Bota e re’, pastaj në revistën ‘Studenti’ që botohej nga Unioni i Pavarur i Studentëve të Fakultetit Juridik gjatë atyre viteve të stuhishme, si dhe fragmente nga intervistat e autorit të këtij punimi dhe shkrime autoriale të tij të botuara në shtypin e shkruar dhe elektronik pas Një Tetorit të vitit 1997 e tutje.

Të drejtat autoriale Gazeta-Online ‘Kabllogrami’

©Kabllogrami

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë