Një shekull pas Luftës së Madhe: Paqja pa drejtësi është veç paradhomë e luftës tjetër*
Albin Kurti
I famshëm për këmbënguljen e tij në rezistencë të pa-armatosur, udhëheqësi indian Gandhi prej shumëkujt mendohet se e merrte frymëzimin prej misticizmit hindu, dhe kjo është e vërtetë, por vetëm pjesërisht. Pjesën tjetër të së vërtetës e tregon historia e Luftës së Parë Botërore, ku u angazhuan miliona indianë, si pjesë e ushtrive të Perandorisë Britanike. Më shumë pati ushtarë indianë se britanikë. Indianët shpresonin se po të tregonin lojalitet ndaj Perandorisë Britanike, pas luftës do t’u lejohej vetëqeverisja e autonomia. Por kjo nuk ndodhi, dhe zhgënjimi i madh me perandorinë të cilën e kishin ndihmuar sa mundën, bashkuar me revoltimin ndaj dhunës së madhe që ndodhi në Luftën Botërore, prodhuan këmbënguljen e Gandhit për çlirim, për mosdorëzim dhe rezistencë paqësore.
Sot është 11 nëntori i 2018, e një shekull më parë Perandoria Gjermane nënshkruante kapitullimin, duke i dhënë fund Luftës së Madhe, që më vonë u quajt e Para.
Më kujtohet se si, kur isha në burg të Nishit, gjeta librin e Henri Barbusse-s kushtuar Luftës së Parë Botërore, romanin me titull “Zjarri”. E botuar në mes të luftës, shkruar prej një ushtari të angazhuar në llogoret e frontit franko-gjerman, libri tejet realist përshkruan vuajtjet e një konflikti ku u përfshinë 70 milionë ushtarë, 9 milion prej të cilëve vdiqën prej luftimeve, bashkë me 7 milion civilë. Dhjetra, në mos qindra milionë, vdiqën prej pasojave indirekte, epidemive, urisë, trazirave të pasluftës.
Në Ballkan, ku edhe u ndez kjo luftë, edhe para 1914 nuk kish patur paqe. Dy luftëra ballkanike gjatë 1912-13 rezultuan në rritje e zgjerim të Serbisë e Greqisë, e në copëtim të trojeve shqiptare. Pas shpalljes së Pavarësisë, ushtritë serbe pushtuan Kosovën e një pjesë të Shqipërisë, duke krijuar rajonin e Durrësit. Po ashtu ushtritë greke hynë në Gjirokastër e Korçë. Masakrat ndaj popullsisë shqiptare ende mbahen mend, për nga mizoria.
Serbët, plot vetëbesim, të përkrahur nga Rusia e Franca, nxitën lëvizje për të marrë Bosnjen prej Austro-Hungarisë, dhe kështu nisi lufta. Bullgaria hyri në aleancë me Gjermaninë e Austro-Hungarinë, ndërsa Rumania, Greqia, Rusia, Serbia e Italia hynë në aleancë me Francën e Britaninë. Shqiptarët e përfshirë nga kaosi dhe konflikti civil mes bajraktarëve, ngelën neutralë dhe u bënë shesh beteje për të tjerët. Kështu, në 1915 Bullgaria pushtoi Kosovën, duke i detyruar serbët të tërhiqen nëpër Shqipëri drejt Korfuzit. Gjatë asaj tërheqje serbët i kanë humbur 200.000 persona, nga kushtet e këqija të motit, sëmundjet dhe hakmarrja e shqiptarëve. Por edhe bullgarët në Kosovë nuk mbahen mend për trajtim njerëzor të popullsisë.
Në përfundim të luftës, megjithëse ishin neutralë, shqiptarët u trajtuan si humbës. Në jug të Shqipërisë Korça, Përmeti, Gjirokastra, Tepelena, Saranda e Himara u shpallën “krahinë autonome e Epirit Verior”, pak a shumë si Zajednica serbe që duan të bëjnë sot në Kosovë. E në veri të Shqipërisë Serbia u rikthye si pushtuese në Kosovë e në trojet që janë sot nën Maqedoni.
Pas Luftës së Parë, më nuk vazhduan të ekzistojnë katër perandori të mëdha, ajo gjermane, austro-hungareze, ruse e otomane. Shumica e shteteve kombëtare të Evropës Lindore e Qendrore u krijuan mbi parimin kombëtar pikërisht atëherë. E revizionistët e historisë, që nuk e pranojnë se Kosova është shkëputur prej Perandorisë Otomane që me kryengritjet e 1911-12, dhe e ka shpallur pavarësinë më 28 nëntor 1912 në Vlorë, duhet ta kuptojnë se kësisoj veçse i japin mbështetje tezës së Serbisë, e cila pretendon se Kosovën e fitoi prej Perandorisë së mposhtur Otomane.
Lufta e Parë thuhej se do të ishte “një luftë për t’i dhënë fund çdo lufte”. Por padrejtësitë që iu bënë popujve pas përfundimit të saj, krijuan zhgënjimin e frustrimin i cili e përgatiti brenda 20 vjetësh një tragjedi edhe më të madhe. Ky ndoshta është mësimi kryesor – paqja pa drejtësi është veç paradhomë e luftës tjetër.
Investimi i madh prej disa vendeve në armatim prishi balancat e pushtetit, dhe kjo i bëri vendet e tjera të duken pre e lehtë. Në këtë perspektivë, armatimi i pazakontë i Serbisë në vitet e fundit, vazhdimi i pandalshëm i armatimit të Greqisë edhe gjatë krizës ekonomike, ndërkohë që Shqipëria e ka shkatërruar potencialin e saj ushtarak dhe Kosova as nuk ka nisur ta ndërtojë, kjo gjendje na bën të ndihemi të rrezikuar dhe të qëndrojmë kokulur përballë ofendimeve. Çdo vend ka të drejtën dhe detyrën të zhvillojë kapacitetet e veta mbrojtëse, që të garantojë paqen.
Vazhdimi i dominimit të ekonomive vendore e globale edhe pas luftës prej interesave tregtarë e korporativë, e bëri të mundur parashikimin e luftës tjetër, prej ekonomistit të shquar J. M. Keynes. Në fakt, i vetmi moment kur ekonomia u vendos në shërbim të mirëqenies, zhvillimit e paqes, sipas parimeve të Keynesit, ka qenë pas Luftës së Dytë Botërore, prej 1945 e deri në vitet ‘70, në bllokun perëndimor. Pas asaj kohe ekonomia e mirëqenies u sulmua nga neoliberalizmi, u privatizua, u korporatizua e u financializua, duke e sjellë gjendjen e botës njësoj si në fillim të shekullit XX. Kjo ndoshta shpjegon edhe rritjen e autoritarizmit dhe ksenofobisë në shumë vende.
Eh sa mësime do të mund të nxirreshin nga historia. Por politikanët nganjëherë nuk janë nxënës të mirë.
Një shekull pas Luftës së Parë mbetemi të përkushtuar për paqe me drejtësi, për pavarësi me zhvillim. Me çdo kusht.
*Ky shkrim i Albin Kurtit është postuar në faqen e tij zyrtare në facebook mbrëmë më 11.11.2018. Meqë I postuar pa titull, titulli i këtij shkrimi është i redaksisë së Kabllogramit i nxjerrë nga konteksti i këtij shkrimi.