Agjencia për Ndihmë Juridike Falas dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), filluan sot fushatën informuese “E drejta e qytetarëve për qasje në drejtësi dhe ndihmë juridike falas” e cila do të zhvillohet në tri Komuna të Kosovës , në Graçanicë, Pejë dhe Gjakovë.
Siç njoftojnë përmes një komunikate për media, qëllimi i fushatës është promovimi i qasjes se barabartë në drejtësi për qytetarët, dhe me theks të veçantë promovimi i ndihmës juridike falas.
Fushata u mbajt sot në komunën e Graçanicës ku në një tryezë diskutimi, u mblodhën aktorët kyç komunal së bashku me Agjencinë për ndihmë Juridike Falas, dhe UNDP-në për të diskutuar rreth ndihmës juridike falas me synim: Promovimin e qasjes në drejtësi dhe institucionit të ndihmës juridike falas në nivel lokal dhe qendror; Identifikimin e sfidave dhe mangësive rreth qasjes në drejtësi për qytetarët e komunës së Graçaqnicës; Identifikimin e mundësive të reja për bashkëpunim, mes aktorëve lokal dhe qëndror, me qëllim të përmirësimit të koordinimit dhe bashkëpunimit ndër-institucional.
“Në tryezë ishin, ndër të tjerë, të pranishëm edhe Z. Bojan Stojanovic, Zyrtar ligjor në Kuvendin Komunal, Srdjan Popovic, Z. Ramadan Gashi, Drejtor i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas dhe Z. Ardian Latifaj, Menaxher i Projektit te sundimit te ligjit, UNDP kurse Znj. Ivana Stojanovic, zyrtare e ndihmës juridike falas bëri prezantimin e rezultateve në këtë komunë. Në orët e pasditës është duke u zhvilluar një komunikim me qytetaret në tendën e ndihmës juridike falas,ngritur enkas për këtë fushatë ku po bëhet shpërndarja e fletushkave dhe shkëmbim i informatave përmes zyrtareve te ndihmës juridike falas dhe studenteve”, përfundon komunikata. /©Kabllogrami/