Nesër më 13 mars (ditë e mërkurë) me fillim nga ora 10:00, Kuvendi i Republikës së Kosovës, do të mbajë seancë të jashtëzakonshme vetëm në një pikë të rendit të ditës. Në këtë seancë do të debatohet lidhur me bllokimin e emërimit të anëtarëve të KQZ-së, nga presidenti kontraverz i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
“Debat parlamentar në lidhje me bllokimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Presidenti”, është pika e vetme e kësaj seance të jashtëzakonshme.
Për bllokimin e punës së KQZ-së, ka pasur reagime të shumta të partive opozitare.
Më e zëshmja ka qenë Lëvizja Vetëvendosje, e cila lidhur me këtë çështje ka thirrur konferenca të shumta për media dhe ka reaguar gjithnjë për këtë abuzim, ndër shumë të tilla që i bën presidenti i vendit ligjeve dhe jetës institucionale në vend, madje duke sfiduar vet ekzistencën e shtetit të Kosovës.
Ish-anëtari i KQZ-së nga LVV, Adnan Rrustemi, kishte thënë se kjo papërgjegjësi i Thaçit, duhet denoncuar.
“Thaçi e ka bërë KQZ-në të bllokuar nga marsi i kaluar. Duhet denoncuar papërgjegjësia e presidentit që s’po zhbllokon këtë institucion të pavarur”, kishte potencuar Rrustemi. /©Kabllogrami/