Nëse s’kthehet mbrapsht ‘Ligji për Paga’, e miratohet në Kuvend, hyn në fuqi nga shtatori
Nga 2,151 euro sa Qeveria e Kosovës kishte propozuar të paguheshin kryeprokurori i Shtetit, kryetari i Gjykatës Supreme, kryetarët e Këshillave Prokurorialë dhe Gjyqësorë, deputetët e Komisionit Parlamentar për Administratë ua kanë zbritur atë në 1912, respektivisht edhe koeficientin për një shkallë.
Kjo ka ndodhur pas presionit të madh publik, që ka çuar në uljen e disa koeficienteve për krerët e shtetit.
Por, shumë më poshtë se kryeprokurori i Shtetit, është renditur kryeprokurori Special, me koeficient të përcaktuar 7.75, raporton KTV.
Kaq pagë do të marrin edhe Shefi i Kabinetit në Presidencë, ai në Kryeministri dhe shefi i kabinetit të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, e që është rreth 1.852 euro.
Kundër Komisionit Parlamentar ka dalë kryeministri Ramush Haradinaj, i cili ka theksuar se do të vazhdojë të luftojë për pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve.
“Ftoj Komisionin, Kuvendin dhe deputetët që mos ta dëmtojnë sistemin e drejtësisë dhe të reflektojnë, duke u bërë bashkë në mbrojtje të sundimit të ligjit. Unë do të vazhdoj të luftoj për pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve në të gjitha etapat – komision, diskutim e seancë, ashtu si kam luftuar e qëndruar deri më tash”, ka shkruar Haradinaj.
Kundërkushtetues e ka cilësuar një veprim të tillë edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.
Ai ka lënë fajtor Qeverinë që, sipas tij, ia ka deleguar hartimin e një ligji të tillë Ministrisë së Administratës Publike, duke theksuar se nuk do të lejojë që një ligj i tillë të votohet.
Por, kreu i Komisionit, Nait Hasani, me qetësi u është përgjigjur kritikave.
Ai ka pranuar se kanë ulur koeficientet për prokurorët dhe gjyqtarët dhe, sipas tij, këtë e kanë bërë duke respektuar protokollin e shtetit.
I bindur se propozimet e komisionit do të votohen si të tilla, Hasani ka theksuar se favorizimet e individëve nuk do të mund ta rrëzojnë një ligj, që, sipas tij, do të krijojë barazi brenda Administratës Shtetërore.
Ligji për paga, bazuar në të dhënat e Komisionit Parlamentar pritet të hyjë në fuqi në shtator, pasi duhet të pritet 6 muaj nga miratimi i tij deri në nxjerrjen e të gjitha akteve ligjore për një gjë të tillë./ktv/©Kabllogrami/