Në Zagreb ka ndërruar jetë atdhetari i shquar Mikel Kuzhnini

Pas një sëmundje të rëndë ka vdekur sot veprimtari i shquar i çështjes kombëtare Mikel Kuzhnini.

Me këtë rast nuka kanë munguar as ngushëllimet nga krerët insitucionalë të Republikës së Kosovës, të cilët i kanë shprehur ngushëllime familjes, nisur nga presidenti Hashim Thaçi, kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, e deputetja e vetme shqiptare në parlamentin e Republikës së Kroacisë, Ermina Lekaj Përlaskaj.

Në një postim në Facebook, Përlaskaj ka shkruar se puna dhe veprimtaria e Kuzhninit për popullin shqiptar do të jetë e përjetshme.

“Në Zagreb, pas një sëmundje të rëndë ndërroi jetë Mikel Kuzhnini, veprimtar i devotshëm i çështjes kombëtare. Çdo herë do të jesh në kujtimin e shqiptarëve anembanë botës. Puna dhe veprimtaria jote për kombin shqiptar do të jetë i përjetshëm. Pusho në paqe baca Mikel”, ka shkruar ajo.

Derisa presidenti Thaçi ka shkruar, “Me pikëllim mora lajmin për vdekjen e veprimtarit dhe atdhetarit të shquar të çështjes kombëtare, Mikel Kuzhnini. Mikeli dhe familja e tij kanë dhënë kontribut të madh për çlirimin, pavarësinë, demokratizimin e Kosovës dhe afirmimin e shqiptarëve në arenën ndërkombëtare”.

E i pikëlluar për vdekjen e Kuzhninit është edhe Haradinaj, i cili thotë se angazhimi i tij për faktorizimin e kombit do të kujtohet përherë.

“Pikëllues lajmi për ndarjen nga jeta të Mikel Kuzhninit, kryetar Nderi i Lidhjes së Shqiptarëve në Botë, i cili pandalshëm punoi për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Angazhimi i tij i pashoq për promovimin e traditave e vlerave shqiptare, si dhe për faktorizimin e kombit tonë kudo në botë, do të kujtohet përherë me pietet. Ngushëllime të thella familjes Kuzhnini dhe të gjithë bashkëveprimtarëve”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

©Kabllogrami

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë