Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) sot ka prezantuar analizën e projektligjit mbi detyrime, përgjegjësitë dhe kompetencat e delegacionit shtetëror në procesin e dialogut dhe përfundimet nga studimi me temën “Një marrëveshje finale që mund ta vë Kosovën në një udhëkryq: Disa mësime nga shtetet e kontestuar në të kaluarën”.
Përparim Kryeziu nga GLPS, ka thënë se nëpërmjet studimit të lartpërmendur argumenton rrezikun që përfshirja e ndryshimit të territorit në agjendën e marrëveshjes finale ka në relacion me shtetësinë e Kosovës, transmeton kosovapress.
Kryeziu ka thënë se studimi përmban disa mësime nga rastet e formimit të shteteve të reja në rendin ndërkombëtar, të cilat sinjalizojnë pikërisht rrezikun që bisedimet për ndryshimin e territorit paraqesin për modelin aktual të shtetësisë së Kosovës.
“Studimi në përfundim argumenton se marrëveshja finale po që se përbën nevojën për ndryshimin e territorit ose ndryshimin e kufijve ajo prodhon një realitet të ri, si dhe e riformëson shtetësinë e Kosovës, duke i dhënë leje atësore Serbisë mbi pavarësinë e Kosovës. Duhet të kujtojmë se shtetësia e Kosovës është e veçantë pasi që ajo bazohet në disa elemente si asnjë herë më parë në të drejtën ndërkombëtare”, ka thënë Kryeziu.
Ai ka shtuar se opinioni i Gjykatës ndërkombëtare mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës, intervenimi ndërkombëtare dhe dokumenti i presidentit Ahtisari formësojnë themelimin e shtetësisë së Kosovës.
Kryeziu ndër të tjera ka thënë se veç diskutimi për ndryshimin e kufijve Kosovë – Serbi, cenon shtetësisë e Kosovës
“Duke pasur për bazë këtë rrezik, kujtojmë që vet diskutimi mbi nevojën apo arritjen e një marrëveshje që ka për qëllim ndryshimin e kufijve veçse e cenon shtetësinë”, ka deklaruar ai.
Kryeziu ka theksuar po ashtu se delegacioni shtetëror për bisedime Kosovë-Serbi, nuk guxon ose nuk duhet që të përfaqësojë qëndrime negociuese për aq kohë sa këto qëndrime nuk burojnë nga një platformë – dokument të shkruar, i cili do t’i prezantohet Kuvendit të Kosovës dhe e cila do ta ketë pëlqimin e 2/3 e deputetëve.
“Ekziston një dokument, ky është raporti i Qeverisë – i qershorit të vitit 2018, i cili ndonëse ekziston në formë të shkruar dhe të printuar, ai vazhdon të mos prezantohet para kuvendit për diskutim. Dhe si rrjedhojë delegacioni shtetëror nëse qëllim ka pikërisht arritjen e një marrëveshje përfundimtare, ai fillimisht duhet ta përkrah iniciativën e opozitës për futjen në rend të ditës, të diskutimit në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, pikërisht raportin e qeverisë i cili ka vlerësuar marrëveshjet deritanishme”, ka thënë Kryeziu.
Në fund ai ka deklaruar se premisa kryesore e negocimit, maksimumi që duhet t’i ofrojë Serbisë, duhet të jetë hapja e rrugës për integrim evropian të Serbisë nëpërmjet normalizimit të marrëdhënieve, por asnjëherë mbi kompromise që mund prodhojnë ri-përcaktim kufijsh apo cenojnë karakterin unitar të shtetit tonë. /©Kabllogrami/