“NATO dhe Ballkani Perëndimor ndajnë qëllimin e përbashkët për stabilitet në rajon dhe mposhtjen e terrorizmit. Shefat e ushtrive ritheksuan se ndryshimet në sjelljen e NATO-s do të varen nga gjendja në terren e jo nga afatet kalendarike”, ka thënë Marshal Peach, kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s.
Për dy ditë radhazi, shefat e ushtrive të shteteve anëtare të NATO-s, kanë marrë pjesë në punimet e Komitetit Ushtarak, i cili u zhvillua në Bruksel, raporton KTV.
Kryetari i Komitetit, Marchal Peach, bëri të ditur se pjesë e diskutimeve kanë qenë edhe zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe ato në Kosovë me Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Mandati i KFOR-it në Kosovë, sipas Peach-it, do të mbetet i njëjtë.
“Janë bërë 19 vjet qëkur NATO ka ndihmuar që të mbahet një mjedis i sigurt në Kosovë, përmes misionit tonë atje, të njohur si KFOR. Ne do të vazhdojmë dhe, siç e ka bërë të ditur publikisht Sekretari i Përgjithshëm, ne do të rivlerësojmë angazhimin tonë me FSK-në, nëse mandati i saj ndryshon dhe ky pozicion mbetet i pandryshuar. Dhe, me misionin tonë në Kosovë, ne do të vazhdojmë të operojmë nën mandatin e Kombeve të Bashkuara, i cili nuk ndikohet nga ndryshimet në transicionin e FSK-së”, deklaroi Peach.
Një prej pyetjeve të cilës iu shmang Peach, ishte nëse shtetet si Franca, Britania e SHBA-ja do t’i trajnojnë ushtarët e Ushtrisë së Kosovës.
Përndryshe, ndër konkluzat që ka përmendur pas takimit të Komitetit, ka qenë se për shefat e ushtrive anëtare të NATO-s, sfidat kryesore mbesin Rusia dhe grupet ndërkombëtare terroriste. /©Kabllogrami/