Serbia po vazhdon lobimin për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës nga shtete të ndryshme të botës, përderisa vazhdimin e dialogut në Bruksel po e kushtëzon me heqjen e taksës 100% ndaj mallrave të tyre. Analistët politikë në vend vlerësojnë se derisa po vazhdon një lobim i tillë i shtetit serb, atëherë dialogu në mes të dyja vendeve është i pakuptimtë.
Zyrtarët serbë po refuzojnë të ulen në tavolinën e bisedimeve në Bruksel me përfaqësuesit politikë të Kosovës pa e hequr taksën prej 100% ndaj mallrave të tyre, mirëpo nuk po ndalin fushatën e egër ndaj shtetit më të ri në Evropë. Dhe për veprime të tilla sipas analistëve politikë askush nga ndërkombëtarët nuk po e kritikon Serbinë, derisa Kosovës po i kërkojnë urgjentisht ta shfuqizojë taksën 100%.
Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, ditë më parë ka njoftuar se edhe një shtet i ri e ka tërhequr njohjen ndaj Kosovës, duke përmendur Republikën e Palauit. Madje sipas tij, presidenti i Palauit sot do të takohet në Beograd me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq, të cilit do t’ia konfirmojë tërheqjen e njohjes së Kosovës.
Përpos fushatës së egër diplomatike, Serbia po vazhdon t’u bëjë presion edhe pjesëtarëve serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët po i merr me orë të tëra në pyetje në vendkalimet kufitare, shkruan gazeta Zëri.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, thotë se lobimi i fuqishëm i shtetit serb dëshmon se këta nuk dëshirojnë të arrijnë marrëveshje përfundimtare me Kosovën.
“Angazhimi i fuqishëm i Serbisë në diplomacinë ndërkombëtare kundër shtetit të Kosovës për tërheqjen e njohjeve është shenjë se ajo nuk është e interesuar të arrijë marrëveshje për njohje të shtetit të Kosovës, por për zhbërje të shtetit të Kosovës”, ka thënë ai për “Zërin”.
Kurse deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë për “Zërin” që përderisa fushata lobuese e Serbisë do të vazhdojë Kosova do t’i përgjigjet shtetit serb në të njëjtën formë.
“Ne e kemi parë në vazhdimësi gjithë fushatën të cilën e ka bërë shteti i Serbisë kundër Kosovës në arën ndërkombëtare, qoftë në procesin e njohjeve, por edhe në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Serbia po i shfrytëzon të gjitha lidhjet që i ka, në mënyrë që shtetin e Kosovës ta bëjë jofunksional, prandaj karshi këtyre veprimeve shteti i Kosovës ka ndërmarrë masën 100% taksë ndaj produkteve të Serbisë dhe të Bosnjë e Hercegovinës”, ka thënë ajo.
Kurse Eugen Cakolli, nga KDI-ja, vlerëson se përderisa po vazhdon lobimi nga shteti serb kundër Kosovës, atëherë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është i pakuptimtë. Sipas tij, institucionet e Kosovës do të duheshin ta bënin të qartë se taksa e vendosur ndaj produkteve serbe është kundërpërgjigje ndaj këtij lobimi.
“Është tejet e gabuar nga institucionet e vendit që të vazhdojnë të negociojnë dhe të dialogojnë për çështje të brendshme të Kosovës, të cilat i kanë dhënë mundësi Serbisë të ketë në dorë një kartë të tillë të tërheqjes së njohjeve mbi pretekstin se çështja e Kosovës ende nuk është zgjidhur dhe kjo pritet të zgjidhet në kuadër të dialogut përfundimtar mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai./Zëri/©Kabllogrami/