Memoriali i Skënderbeut në Lezhë pas restaurimit duhet vizituar patjetër /video/
Projekti për rehabilitimin e Memorialit të Skënderbeut në Lezhë përfundoi duke nxjerrë në dritë pas restaurimit, këtë vend i cili në vetvete tregon historinë e identitetit tonë. Tashmë ky vend është destinacioni i ri kulturor për vizitorët vendas dhe të huaj, bёn tё ditur Kabllogrami
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro inspektoi punimet në Memorialin e Skënderbeut.
Ajo u shpreh se, ”memoriali i Skënderbeut në rrënojat e kishës së Shën Nikollit dhe muret antike dolën në dritë në një restaurim të plotë nga projekti i Institutit të Monumenteve të Kulturës, transmeton ATSH.
”Shumë krenare për restaurimin dhe rikualifikimin e Memorialit të Skenderbeut mbi rrënojat e Kishës së Shën Nikollit në Lezhë. Ndriçimi i ri skenografik, restaurimi dhe konsolidimi i mureve antike, trajtimi i çdo guri e i çdo pëllëmbe mermeri, rehabilitimi i simbolit të varrit të Skënderbeut, janë befasues ndërsa kane nxjerrë në dritë një destinacion që vlen të rizbulohet ndryshe”, tha Kumbaro.
Vendvarrimi i Skënderbeut përbën njërin prej monumenteve më të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Përveç mureve të kishës, në këtë objekt gjendet edhe absida, ku ndodhet i vendosur busti i Skënderbeut, afresku i Shën Nikollit, dritaret dhe tri harqet mbi derën e kishës.
Në mure janë të varura 25 mburoja prej bronzi, të cilat tregojnë 25 betejat kryesore të Skënderbeut. Mbi pllakën e mermerit janë vendosur kopje të shpatës dhe përkrenares prej bronzi të Skënderbeut. atsh /©Kabllogrami/