Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme ku është diskutuar projektligji për tatimin në të ardhurat e korporatave.
Deputetë e parlamentit të Kosovës kanë arritur që të votojnë projektligjin që do t’i ndihmojë edhe sportistët dhe kulturën.
Deputetët votuan për harmonizimin e Ligjit për Sponsorizime në Fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me Projektligjin për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave.
Me 74 vota pro, dy abstenime dhe asnjë kundër, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë projektligjin e ri që do t’iu lehtësojë punën botës së sportit.
Ligji parasheh që shumë biznese ta ndihmojnë financiarisht sportin dhe kulturën në vendin tonë, por ende nuk është finalizuar.
Mbrëmë, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, kishte thënë se nëse të enjten (sot) në Kuvendin e Kosovës mundësohet harmonizimi i Ligjit për të ardhurat e korporatave me Ligjin për sponsorizim, për sportin dhe kulturën në Kosovë do të hapej një dritare e re. Ai ka shtuar me të drejtë se Ligji për sponsorizim do të thotë më shumë medalje për Kosovën. /©Kabllogrami/