Fondet milionëshe për lobim nuk i kanë sjellë Kosovës anëtarësimin në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë – Interpol, e madje as fondi shtesë prej më shumë se 1 milion euro, të cilin e ka ndarë Qeveria e Kosovës vetëm një muaj më parë, për siç është thënë, menaxhimit efektiv të aktiviteteve lobuese.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, atëherë nuk pati bërë të ditur se si do të shfrytëzohen mjetet financiare të atij fondi shtesë, por ka theksuar që shpjegimet do të jepen kur të bëhet raportimi.
Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit Haradinaj, thotë për Radion Evropa e Lirë që mjetet financiare prej më shumë se 1 milion euro, të ndara rreth një muaj më parë, kanë qenë të destinuara për Ministrinë e Punëve të Brendshme.
“Deri sot, kanë qenë në procedurë të shpenzimeve. Po besoj që ende nuk janë kthyer njerëzit nga rruga (Dubai). Por, e di që ato mjete janë hedhur në një konto të veçantë pranë Policisë së Kosovës, sepse ata kanë pasur instruktor që janë për bashkëpunim me policitë e shteteve të tjera, sepse relacionet kanë qenë që të ndikohet te drejtorët e policive të vendeve të tjera. Por, deri më sot nuk kemi raport se çka është shpenzuar, sepse procedura ka qenë në vazhdim. Sigurisht që ata që kanë qenë kompetentë që ta menaxhojnë këtë fond, duhet të sjellin edhe raport se për çka janë shpenzuar dhe sa janë shpenzuar”, ka thёnё Shatri për Radion Evropa e Lirë./©kabllogrami.