Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim që ta vazhdojë edhe për dy muaj masën e paraburgimit ndaj tre të dyshuarve për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, Nedeljko Spasoviq, Marko Rosiq dhe Dragisha Mirkoviq, njofton Kabllogrami.
Të dyshuarit për vrasjen e Oliver Ivanoviqit do të vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim. Vetëm dy ditë para se të skadonte masa e paraburgimit për këta të dyshuar, gjykata ka marrë parasysh kërkesën e Prokurorisë speciale për vazhdimin e paraburgimit.
Prokurori special, Sylë Hoxha, thotë se lënia në liri e këtyre të dyshuarve do t’i pengonte në masë të madhe hetimet në rast. Ndonëse janë intervistuar një sërë dëshmitarësh dhe grumbulluar prova, Hoxha thotë se e ka të vështirë të punojë në këtë rast, pasi që shteti i Serbisë nuk po ofron bashkëpunim e mjaftueshëm.
Sipas pretendimeve të prokurorisë, tre të pandehurit janë të përfshirë direkt në vrasjen e Oliver Ivanoviqit, duke funksionuar në tërësi si grup i organizuar kriminal.
Në nëntor të këtij viti, ata ishin arrestuar gjatë një aksioni policor në veri të Mitrovicës. Ndërsa, në kërkim vazhdon të mbetet nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radojiçiq, i afёrt me Vuçiqin, si i dyshuari kryesor pёr vrasjen e Oliver Ivanoviqit. /©Kabllogrami/