Qytetarët e Republikës së Kosovës nga dita e mërkurë, datë 15.04.2020, duke filluar nga ora 6:00 e mëngjesit, do të kenë të drejtë qarkullimi vetëm një orë e gjysmë në ditë. Se kur do të jetë koha e tyre e daljes jashtë shtëpive do të përcaktohet në bazë të numrave të parafundit të letërnjoftimeve, njofton Gazeta Online Kabllogrami.
E tërë kjo vlen për personat mbi moshën 16-vjeçare, se ata nën këtë moshë nuk do të lejohen të dalin pa shoqërimin e një familjari të afërm dhe atë vetëm për një orë e gjysmë me arsye të forta. Këtë e ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë për media sonte në mbrëmje.
Ministri Vitia si kryesues i grupit punues për menaxhimin e krizës së pandemisë, ku janë edhe tre ministra të Qeverisë në detyrë, ka falënderuar qytetarët për respektimin e vendimeve të deritashme për kufizim të lëvizjes, por ka shtuar se këto, tash kur është rritur numri i të infektuarve, nuk janë të mjaftueshme.
Sipas vendimit të fundit, dalja jashtë shtëpive duhet të bëhet vetëm me arsye, për të kryer ndonjë shërbim apo për furnizim.
Për personat e moshës nën 16-vjeç, po ashtu lejohet dalja për një orë e gjysmë, sipas kriterit të njëjtë, por duhet të jenë të shoqëruar nga një anëtar i familjes së ngushtë.
Për të huajt, do të vlejë e njëjta masë dhe lëvizja e tyre do të përcaktohet në bazë të numrave të parafundit të pasaportave që kanë.
Gjatë qarkullimit me veturë, shoferit nuk i lejohet të bartë më shumë se një pasagjer.
Ministria Vitia ka lutur personat mbi moshën 65 vjeç të mos dalin nga shtëpitë.
“Masat mund të duken rigoroze, por përvoja nga shtetet tjera na ka mësuar se nesër mund të jetë vonë dhe prap do të jemi të detyruar t’i marrim këto masa”, ka thënë Vitia.
Sipas tij, të gjitha vendimet e deritashme që bien në kundërshtim me këto të fundit, do të shfuqizohen.
Në konferencë ishin edhe ministrat në detyrë, Rozeta Hajdari e Emilija Rexhepi si dhe ushtruesi i detyrës së ministrit, Xhelal Sveçla.
Deri më tash, në Kosovë janë 377 të infektuar, 63 të shërur dhe tetë të vdekur. /©Kabllogrami/