Të nderuar zotërinjë,
Me dëshpërim të thellë i përcjellim lajmet që n’a vijnë nga Kosova, sidomos këto dy letrat e fundit dëshpruese që njeri nga ju ia dërgon Trumpit e tjetri Quint-it. Te dy letrat demoralizuese të dërguara krye në vete, pa konsultim me njëri tjetrin dhe me ekspertë që i japin nje sinjal të brishtë bashkësisë ndërkombëtare në shumë dimenzione.
Kryetar, e refuzojmë qasjen tuaj për një marrëveshje eventuale me Serbinë me ndryshim kufinjësh, refuzojmë njohje nga Serbia, refuzojmë karrike në OKB, refuzojmë ambasadë në Kremlin, të gjitha këto kur pretendon t’i arrish me ndërrim kufijsh, me cenim të sovranitetit të Kosovës, të njohur ndërkombëtarisht nga mbi 100 shtete më me ndikim si dhe cenimin e GJND-së.
Kryetar, në letrën dërguar Trump-it ju shkruani: “Prandaj, më lejoni t’ju ofroj garancitë e mia personale se si President i Kosovës do të jem i gatshëm dhe i vullnetshëm që të bëjë kompromiset e nevojshme për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të balancuar.” Per çfarë kompromisesh e keni fjalën, kur plani i Ahtisarit ishte nje kompromis i dhimbshem!. Sa i sinqertë jeni me Presidentin Trump kur i shkruani mëtej: “…Nje marrëveshtje në mes Kosovës e Serbisë është afër tani.” Ku e dini se është afër?
Kryeministër, në letrën tuaj poaq demoralizuese i kërkoni QUINT-it dhe SHBA-së një konferencë për Kosovën, prej nga ju erdhi kjo ide denigruese kur konferencat për Kosovën janë kryer moti, pse lypni belanë që në atë konferencë Serbia do të kërkonte të inkuadrojë Rusinë. Kërkoni dhe afat më ditë të numëruara e që kjo është iluzore kur dihet se çfarë armiku të pamëshirshëm e të pabesë kemi perpara. Orvatja juaj me letrën shpjeguese si që e quani ju, dërguar kryeministrave botëror është e dinjitetshme.
Kryeministër, në një pres konferencë deklaruat: “Nëse njëra nga kushtet që e kam nxjerrë unë më prish me dikë, nuk ka dert.” Kjo s’është diplomatike ashtu siç s’ishte diplomatike kur thatë se taksa nuk hiqet derisa të bëhet njohja nga Serbia. Në diplomaci nuk është e rëndësishme a e thy inatin, por, a po bënë punë për vendin. Ҫështja kombëtare kërkon rezultate e jo sa e mban fjalen/inatin pa mbulesë por racionalen.
Z.Kryetar, në kohën sa ishit kryeministër premtuat zero tolerancë ndaj korrupcionit, megjithatë ai lulëzoi, disa nga bashkëpuntorët tuaj u bënë milionerë, edhe pse para lufte ishit fukarenjë, si do t’a arsyetoni këtë profit marramendës, ato mjete ishin te dedikuara per popullin dhe mirëqenien e tij, por tani është kapital i një grupi të vogël të njerëzve tuaj. Për t’a bërv këtë edhe me tragjike, njerëzit tuaj shiten edhe çertifikata te luftëtarit të rrejshëm për para të majme duke i shkaktuar dëm të dyfishtë shtetit dhe askush nuk dha pergjegjesi. Z. Kryetar, investimet e huaja ne vitin 2007 ishin 440 milion derisa më 2016 vetëm 220 milion, kush i dekurajoi investimet e huaja gjatë qeverisjes suaj që premtuat aq shumë, pse në këtë kohë Kosova sipas indeksit te korrupcionit u radhit me e korruptuara ne rajon. Megjithatë, pranë të gjitha shkeljeve ju me mjeshtri u ngjitët në timonin e presidencës, që tani frikshëm e drejtoni drejtë një humnere.
Kryeministër, te përkulemi për trimëri e heroizëm gjatë luftës, për sakrifica familjare, por si kryeministër që aq shumë e lakmoje, pse nuk bëre një reformë. Perkundrazi, ti e rrite administratën, theve rekorde me ministra e z.ministra, ua rrite pagat, dhe ishe shume doreshlirë me paratë e popullit. Ne mandatin tuaj numri i njohjeve ra, u rrit numri i ç’njohjeve. Megjithkëtë mossukses të frikshëm, ju nuk shkarkuat asnjë ministër përgjegjës për këtë, nuk sollët në shtëpi asnjë ambasador përtac.
Kryeministër, ju e refuzuat ambasadorin amerikan për taksën, por sa shpejtë harruat, a nuk ishte ambasadori amerikan, ai që në momente të vështira për ne, gjatë shpalljes së Ushtrisë sonë, e shpërfilli fjalën e Sekretarit Gjeneral të NATO-s dhe tha se Ushtria do të bëhet. Ti dhe Kosova dolët faqebardhë në momente dramtike kur ambasadori duhej të ballafaqohej me Aleancën V. Atlantike. Por, mos mendo se për fjalët, ambicjet, dhe karierën tuaj do të mund të shfrytëzosh në pafundësi, ndihmën gjeneroze të miqve tanë me një sjellje refuzuese. Vepro me arsye, sepse HTH memzi pret rrëzimin tuaj, siç e ka zakon, kur s’i duheni, por neve n’a duhesh aty!
Kryetar dhe z. Kryeministër, nën udhëheqjen e juaj Kosova ka rrëshqit pas, si në korrupcion, si në investime, si në njohje, si në imazh. Rrethanat në të cilat gjendet sot Kosova jonë, janë kritike dhe të frikshme. Ёshtë momenti i fundit per ju të dy, të bashkëpunoni, të konsolidoni ekipin negociator, përfshirë të gjitha partitë, nëse deshironi ekipi të jete legjitim, pa cenuar kushtetutën e vendit më kufijtë aktual dhe të njohur ndërkombëtarisht. Ju dolët nga lufta si heronjë, paqja është më e veshtirë dhe s’ka shkuar si duhet, vazhdoni të sëndërtoni rrugën e Presidentit Rugova, Adem Jasharit, dhe shumë heronjeve të tjerë, përndryshe ky është gongu final i Pavaresisë që vuan.
I indinjuar por me shpresë, vëllazërisht
Ramazan Bekteshi, Alexandria, Virginia
Autori është një veprimtar i shquar për mëse tri dekada në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me lidhje të afërta në politikë-bërjen amerikane në nivelet më të larta, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për çështjen shqiptare në përgjithësi, sidomos për çështjen e Kosovës, që kulmoi me çlirimin dhe bërjen shtet të Kosovës me ndihmën primare të SHBA-së.