LDK: Nëse dikujt duhet t’i ndalohet ushtria, atëherë kjo vlen për Serbinë
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti ka thënë se nëse ndonjë shteti duhet t’i ndalohet të ketë ushtri, atëherë kjo vlen për Serbinë, raporton Kabllogrami
“Ushtria e juaj, z.Vuçiq dhe znj. Bërnabiq, është e komprometuar, ngase ka ende duart e përgjakura. Është ushtria e juaj ajo për të cilën dihet botërisht se ka shkaktuar spastrim etnik dhe gjenocid, ka dhunuar e vrarë gra e foshnje, në Kosovë, Bosnje e gjetiu”, ka shkruar Hoti i LDK-së.
“Ushtria e Kosovës do të jetë ushtri që garanton dhe gjeneron paqe, që aspiron NATO-n e misionet paqeruajtëse gjithandej në botë. Do të ndërtohet dhe kalitet që të ndihmojë popuj të tjerë gjithandej globit, të cilët mund të përfshihen në tragjedi të ngjashme, me ato që pësuam ne, nga falangat gjenocidale të ushtrisë serbe”, ka shkruar ai.
Hoti ka kërkuar nga Serbia qё t’u kёrkojё falje për tragjeditë njerёzore nё baza etnike që ka shkaktuar në Kosovë dhe Bosnjë. /©Kabllogrami/