Qeveria e Kosovës ka miratuar rritjen e taksës për 100 për qind ndaj produkteve që importohen nga Serbia, bёn tё ditur Kabllogrami
Një ditë pasi Serbia bllokoi anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, Qeveria e Kosovës ka miratuar rritjen e taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe.
Në mbledhjen e Qeverisë, sot ministri i Tregtisë, Endrit Shala, propozoi që Serbisë t’i rritet taksa që deri më tani ishte 10 për qind.
“Nga sot t’i vendoset masa 100% pёr produktet me origjinë nga Serbia”, tha Shala.
Më tej, Qeveria miratoi vendimin, duke i vënë taksë qind për qind Serbisë.
“Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe obligohen institucionet ta zbatojnë menjëherë”, tha kryeministri Ramush Haradinaj pas aprovimit të vendimit në Qeveri.
Ky vendim u mor pas fushatës së egër që po e bën Serbia ndaj shtetësisë së Kosovës, dhe pengesës për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. /©kabllogrami/